Nga BUJAR QESJA

E enjte, 2 korrik 2020! Është një ngjarje e pazakontë në historinë e rinisë shqiptare, e cila ndezi fuqishëm motorët e lirisë, për të thyer më në fund prangat e një diktature 45 vjeçare, që kishte shuar çdo shpresë të popullit. Parrulla “Ndërtojmë socializmin me forcat tona”, tingëllon jo vetëm si një efekt propagandistik edhe tani, por ishte një fallsitet të cilën koha dhe realiteti e grisën si një hedhurinë.

Dhe flladi i fuqishëm i lirisë, si një uragan i dalë nga fundi i dheut, u nxit dhe u përhap në Durrës nga djemtë e lagjes aq të njohur të Sefer Efeniut. Kjo rrugë e dashur për durrsakët, ku ka lindur Panajot Pano, ku është streha e të mëdhenjve të sportit Rruf Kazazi, i mjeshtrit historik të shahut Fatos Muço, i gjyqtarit ndërkombëtar, të paharruarit Shazivar Gruda, i mjeshtrit të topkëmbës legjendarit Dul Duma, i heroinës së sporteve Bernardina Qerraxhia, i mjeshtrit të madh të boksit Ymer Reçi, i vëllezërve emblemë të notit Kapexhitë e famshëm Shaqiri, Sabriu dhe Syriu, i shpikësit të delfinit shqiptar Burhan Truma, i Arben Rrogozhinës, i mjeshtrit të fishekzjarreve Hajdar Ferra, i fiseve të njohura Xheneti, Rubjeka, Rexha, etj, i fituesit të 38 medaljeve në not, të madhit Mirban Kadiu. Kthehet edhe në një dukuri tjetër të panjohur më parë. Është një lagje pikë e dobët për ne durrsakët, madje do ta trajtoja si një kryelagje, vatër e historisë, qytetarisë, civilizimit, patriotizmit dhe të qendresës, për të qenë kryelartë në lirinë dhe demokracinë e tyre.

Nuk është puna për të bërë politikë, pasi ajo nuk vlen para asaj që do të çfaqim në rradhët e mëpasme. Por Seferefeniasit, janë kushtrim i qytetit të Durrësit. Është një kryevatër e zhvillimit dhe përparimit të asaj, që quhet qytetaria durrsake. Dhe Ardian Reçi, një djalë simpatik i kësaj lagjeje, që rrezaton një kulturë dhe komunikim të veçantë, i biri i të mirnjohurit Besnik Reçi, vjen sot të më takojë në këtë të të enjte me nishan. Është 2 korrik, i vitit 2020. Kanë kaluar plot 30 vite, nga ajo datë delikate e 2 korrikut 1990, pasi liria nuk vjen lehtë, pa tentuar të lesh edhe kokën për të. Kështu i ndodhi Adrian Reçit, por edhe tre shokëve të tij të besës, të cilët bënë atë kryevepër që çmohet, si nga dukuritë më pikante të zgjimit në parmasat e lirisë, duke thyer varngonjtë e një diktature, që qendronte si një dinosaur dhe që i kishte marrë frymën një populli të tërë.

Ardian Reçi është i emocionuar. Kujton një ngjarje, që nuk i shkitet lehtë nga kujtesa, ku më lutet kushedi për të satën herë, që të evidentoj dukshëm një hero të vërtetë, i lënë në hije ndoshta me dashje apo pa dashje, që mbetet shtyllë e atyre zhvillimeve që tronditen një Shqipëri të tërë.

Lul Vogli, madhështia i një heroi të heshtuar

-Arratisja e bujshme e vitit 1987

Nuk është shkruar asnjë rradhë për të. Mbase po të mos ishte Ardian Reçi, zor se mund të hidheshin rradhë për të, në këtë shkrim me përmasa historike si ky i këtij 2 korriku 2020. Ishte viti 1987. Enver Hoxha kishte ikur nga kjo botë. Komunizmi po çthurej, por bisha kur është e plagosur bëhet më agresive. Dhe këtu çfaqet një nga historitë më të bujshme për kohën, realizuar pikërisht nga ky hero me emrin Lul Vogli, djali i Kup Voglit. Me peshkatoren “Dukati”, me një ekuipazh prej gjashtë vetash, çfrytëzon një gjueti peshku në afërsi të ujave neutrale. Më pas zotëron me shpejtësi timonin dhe pasi kishte siguruar teknikisht gjithçka të duhur në sektorin e motorrëve, kalon vetëtimthi në ujrat neutrale dhe lundron në anën italiane të Adriatikut. Shkon në Brindizi dhe kërkon strehim politik. Në vitin 1989, është ende enigmë kthimi i tij në Shqipëri, pasi sigurimi i shtetit komunist kishte ende fuqinë e zararit.

Por kurrë nuk e mposhtën shpirtin, vendosmërinë, etjen për liri dhe demokraci të Lul Voglit, këtij qendrestari të lagjes Sefer Efeniu, që vetëm pas një viti do të organizonte atë kalim spektakolar në ambasadën italiane. Dua ta mbyll plotësisht kapitullin e Lul Voglit në këto rradhë, prandaj më vlen rrëfimi i 55-vjeçarit Ardian Reçi. Kujtimet vijnë të pastra si kristali, vijnë të freskëta si vetë erërat e ngrohta të lirisë dhe demokracisë dhe ku njerëz si Lul Vogli, kanë pjeën e tyre të sakrificës, të vetmohimit, të vendosmërisë dhe besimit për t’ia dalë. Me 1 korrik 1990, Lul Vogli thërriti në një takim të shpejtë Adrian Reçin, Ot Dumën dhe Gent Troplinin. Natën ikën në Tiranë dhe u strehuan tek daja e tij. Ambasada Italiane ishte në vendin ku tani shtrihet ambasada Amerikane. Apartamenti i dajës si Lul Voglit favorizonte qëllimin. Atë natë katër seferefeniasit nuk i mbyllën sytë. Liria ishte ulur në qepallat e tyre dhe rëndonte aq sa thyerja e prangave të dhunuesve të demokracisë.

Ora 6 e mëngjesit. 2 korrik 1990. Të katër sokolët durrsakë, nuhasin distancën e policëve që ruanin ambasadën dhe veprojnë me një shpejtësi rrufe. Kapërcejnë me lehtësi murin pesë metrosh të ambasadës dhe ngulin duart, tërë trupin e tyre në telat prej gjëmbash, që i therën m’u në shpirt. Por liria ia kalonte vlerës së jetës, vlerës së gjakut, pasi atë nuk ta fal kush, nuk ta dhuron kush, po nuk e kërkove, po nuk qe i bindur për ta fituar me çdo sakrificë. Amabasadori italian dha urdhër që djemtë të mjekoheshin, të qetësoheshin dhe mbaheshin afër, të ushqeheshin dhe të siguroheshin qoftë për jetën, qoftë edhe për mbështetjen e qeverisë italiane. Të nesërmen ambasadën italiane, e kaluan me ndihmën e katër shokëve të tyre edhe tre seferefenias të tjerë: Ben Jasini, Rexhep Pusi dhe Il Kapllani.

Kjo është arsyeja që lagja e famshme sportive e Sefer Efeniut, që lindi dhe rriti kampionë të mëdhenj, ustallarë të dëgjuar e qytetarë eksElencë, mbetet edhe një shembull i shkëlqyer i kërkimit me sakrificë të drejtave njerëzore, që aq e aq demokratë kanë luftuar, vrarë e persekutuar, vetëm për të qenë të lirë në jetën dhe bindjet e tyre. Duhet t’ia dimë për nder këtyre seferefendiasve që dhanë kushtrimin, që 2 korriku 1990 të kthehet në ditën e madhe të lirisë, duke “pushtuar” ambasadat” e huaja dhe duke e fituar lirinë me shembullin e gjakut dhe të përkushtimit. Dhe këtu veçon Luli ynë, Lul Vogli, që shërben si një memorie e gjallë e heroizmit dhe sakrificës së rinisë durrsake dhe të kësaj lagjeje historike, që mbetet nderi i Durrësit. Dhe të vjen keq, kur njihesh me faktin tragjik, se në janar të vitit 2005, në Ankona të Italisë pas një aksidenti fatal jep shpirt Lul Vogli, ky personazh aq i dashur për rininë. Dhe këtu mos-harresa duhet të flasë dhe të thyejë më në fund heshtjen 30 vjeçare. Lul Vogli një emër kushtrim, një emër që zgjon dhe të kujton etjen për liri, për demokraci, për të drejta dhe prosperitet të njeriut.

Një foto historike e seferefendiasve të jashtëzakonshëm

Kemi shkruar shumë dhe më pas do të veprojmë kështu. Por nuk e kisha menduar një shkrim me të tilla përmasa, kushtuar lagjes Sefer Efeniu. Kam shkruar shumë për këtë lagje, por për sportin, pasi është e madhe këtu dhe ka kapur historinë. Por shumë e madhe qëndron edhe në aspiratat demokratike, duke vendosur në pararojë djemtë e shkëlqyer të saj. Foto që po prezantojmë, është bërë në muajin maj të vitit 1990. Adrian Reçi kërkon ndjesë, pasi disa prej tyre kujtesa ia ka zbehur emrat, por kurrë qëllimet dhe dëshirat për të qenë të lirë, e përsërisim të lirë, pasi rinia nuk e duron dhunimin dhe aq më pak persekutimin. Dhe tërë këta të rinj në këtë pamje të rrallë, u larguan nga Atdheu me dëshirën e patundur për të qenë të lirë dhe për të fluturuar dhe kapur aspiratat e demokracisë, me fluturimin e sigurtë të një shqiponje.

Me pak mungesa, po i vendosim emrat e të rinjve, që kanë vlera dhe merita që vranë frikën dhe ngritën kalanë madhështore të lirisë.

Ata janë:

Lart nga e majta: Arjan Çitozi, Arben Allunovi, Lom Muzhaqi, Il Kapllani, Tur Jasini, Ot Duma, Ardian Reçi, Mustafa Lama.

Rradha e dytë nga e majta: Zen Troci, Did Çitozi, Gaz Duma, …………., Altin Çoba.

Rradha e tretë nga e majta:———–, Ardian Korriku.

Rradha e katërt nga e majta: Tan Jasini, Nue Duma, Ben Jasini, —————

Dhe mbi të gjithë, si një shqiponjë dallon pamja e Lul Voglit, që është ngulur në supet e shokëve, si për të thënë që së bashku, nuk do të ndahemi nga kjo jetë.

Këto Seferefenias më shumë sot se kurrë, ndjejnë fuqinë e sakrificave të tyre. 2 korriku i vitit 1990 është dita e tyre. Është dita e asaj lirie aq shumë të kërkuar. Dhe Lul Vogli qendron në vendin e shqiponjës, e cila që nga ajo ditë e deri tani në këtë 2 korrik 2020, ka fluturimin e fuqishëm të lirisë.

Dhe pak për Ardian Reçin

Një djalë simpatik. Një durrsak i bindur dhe tërë krenari të thotë, duke e ngritur paksa timbrin e zërit, që është nga lagja e njohur dhe historike e Sefer Efeniut. Më tregon duart dhe i duken shenjat e telave me gjëmba, që i kanë therur mishtë në atë 2 korrik të vitit 1990. Pasi kanë qendruar 14 ditë në ambasadën italiane, janë paisur me dokumenta të rregullta dhe kanë kaluar në Itali. Ardiani u sistemua në Milano dhe në vitin 1993, filloi punë në Mediasetin e famshëm italian. Qendroi mjaft vite atje, duke punuar pastër, me djersë, mund dhe sakrifica. Ka lidhur jetën me një intelektuale të njohur Blerina Xhakolli, e bija e mikut tonë të hershëm Njazi Xhakolli.

U bënë 10 vite që Ardian Reçi, ka themeluar kompaninë Italinox – Shqipëri me qendër në Durrës, me kapital njëqind përqind shqiptar. Ndërsa kompaninë Reçiinox, e ka ndërtuar me partnerë italianë.

2 korrikun e vitit 1990, Ardian Reçi e kujton sikur të ketë ndodhur tani. Malli për ato ditë vjen aq i afërt, pasi nuk harrohen. Historia vlen kur shkruhet siç ka ndodhur. Dhe ka ndodhur kjo që shpjeguam në këtë shkrim : një grup të rinjsh të lagjes Sefer Efeniu, ndezën shkëndijat e një zjarri të fuqishëm, që historia shqiptare do ta njohë si ditën e lirisë, të pavarësisë shpirtërore, të asaj dite që mund të quhet vërtet çlirimi i Shqipërisë, për të qenë përjetësisht demokratike.