Nga Shefqet Kërcelli

-Me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e një flotilje të marinës nga Qeveria e Ismail bej Vlorës, por fillimi i Luftës së 1-rë Botërore e ndërpreu këtë angazhim të qeverisë, si dhe mjaft aspekte të tjera të jetës social-ekonomike dhe politike.

-Më 25 dhjetor 1925, mbrijnë nga Italia dy anije 190 tonshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë ”Shqipëria” dhe ”Skënderbeg”. Këto anije u pajisen me efektiva marinarësh dhe u përdorën duke kryer detyra në interes të luftës kundër kontrabandës në brigjet shqiptare. Kjo date shënon dhe Krijimin e Forcave Detare Shqiptare.

-Më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e pare për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. (v.1917).

-Me dekret të parlamentit, dt.16.11.1929, Struktura e Institucioneve Detare të Mbretërisë përbëhej nga:-Komanda e Marinës, Skuadrilja me Motoskafë patrullimi tip “MAS”, Drejtoria Qendrore Detare dhe Kapiteneria e portit me 5 zyra, në Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Himarë, dhe një në liqenin e Pogradecit.

-Më 1934, u blenë po nga Italia edhe dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan ”Saranda” dhe ”Durrësi”, të destinuara kryesisht për luftën kundër kontrabandës në bregdetit tonë.(B.Fisher.“Mbreti Zog dhe përpjekjet e tij për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”).

-Pushtimi fashist më 7 Prill 1939, e ndërpreu këtë zhvillim të detarisë shqiptare, e cila po hidhte hapa të rëndësishme për krijimin e strukturave të organizuara me një fizionomi të qartë. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat.

-Fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhër nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.

-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.

-Në prill të 1946, u krijua Komanda e Marinës, kurse në Shëngjin, Durrës, Sazan, Vlorë dhe Sarandë, krijohen grupet e ABD-së që vareshin prej saj. Në kuadrin e riorganizimit të MM, në shtator të v.1946, suprimohen Komandat dhe seksionet, midis të cilëve edhe seksioni i Marinës, pasi u krijua Drejtoria e Mbrojtjes Bregdetare.

-Periudha e mëvonëshme ka qenë një periudhë intensive, ku u punua me perspektivë për zhvillimin e FLD, duke shfrytëzuar edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist.

-Në fillim të vitit 1949, Komanda e Marinës për çështje operative e të shërbimit kaloi në vartësinë e Komandës së Mbrojtjes Bregdetare, ndërsa për çështje të stërvitjes luftarake e teknike, ajo mbeti në vartësi të seksionit të Marinës në MMP.

-Në vitet ‘53-‘54, u shënua fillimi i një etape të re zhvillimi të FLD, me pajisjen e tyre me silurhedhës e më vonë me Minaheqëse, Gjuajtësa detarë dhe anije ndihmuese të llojeve të ndryshme. Më 27 janar 1954, u krijua skuadrilja autonome e KS me qendër në ishullin e Sazanit, e cila e forcoi së tepërmi regjimin operativ për ruajtjen e ujërave tona detare.

-Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë tekniko-shkencore për sigurimin hidrolundrimor dhe të veprimeve luftarake, i cili përgatiti e ngriti një varg fenerësh në gjithë bregdetin. Ai njëkohësisht filloi përgatitjen e hartave detare shqiptare. U ngritën e modernizuan mjaft pika sinjalo-vrojtuese dhe u pajisën ato me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

-Në janar 1958, plot 13 vjet mbas krijimit të seksionit të marinës ushtarake në varësi Komandës së Përgjithëshme dhe FUD, FLD u nda si njësi operative më vete që varej direkt nga Kom. Përgjithëshme.

-Më 5 mars 1958, erdhën nga Sevastopoli, 4 GJDM, (tip.Kronshtad, Pr122 B).

-Në prill 1958, si rezultat i shtimit të teknikës e anijeve, u bë riorganizimi i FD-së. Flota u shkëput nga vartësia e Brigadës së MBD dhe kaloi në vartësi direkte të MM, me qendër në Vlorë.

–Më 21 shtator 1958, u krijua Brigada e Nëndetseve, {BrND}. ND e 1-rë, (Ëhiski 613 C, Stuhia), ND e 2-të, (Rrufeja), ND e 3-të, (Vetëtima), ND e 4-të, (Tufani),

-Në fund të v.1958, FLD kishte 20 anije luftarake, 4 ND, 4 GJDM, 6 MHV, 6 KS dhe 9 anije ndihmuese.

–Më 1959, filloi nga puna Ofiçina e Riparimit të Anijeve ne Pashaliman.

-Më 8 janar të 1959, u krijua Brigada e Mbrojtjes së Rajonit të Ujrave (BrMRU), me qendër në ishullin e Sazanit, në përbërje të së cilës përveç gjuajtësave detarë u futën Minaheqëset e Bazës, të radës dhe skuadrilja e KS.

-Në vitin 1961, me VKM Nr.381, date 28.10.1961, në Vlorë u hap shkolla e Marinës, sot Shkolla e Trupës,{seksioni detar}, e cila për mbi 4 dekada, ka luajtur rol kryesor në përgatitjen dhe furnizimin e FLD, FDT e NSH të Peshkimit, me qindra kuadro oficerë e specialistë, komandues e navigatorë, duke treguar një përgatitje e nivel të lartë profesional.

-Periudha e viteve 1961-1980, shënoi zhvillimin e mëtejshëm të FLD, krijimin e vendbazimeve të reja dhe disa reparteve të KS, kompletimin me anije luftarake moderne të kohës. U ngritën dhe modernizuan mjaft Pika Sinjalo-Vrojtuese me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

-Në shkurt të vitit 1962, ka një tjetër riorganizim të pjesshëm të njësive të dislokuara në bregdet, me krijimin e Komandes së FUD-it. Në këtë Komandë u inkuadrua edhe dega e Flotës e cila deri këtë vit ishte prane MMP.

-Më 21 shkurt 1968, FLD ju shtuan KS të projektit të ri “Huchuan Pr 66-25”, të ardhur nga Kina.

–Në mars 1968, u bë një tjetër riorganizim. Komandat e Flotiljeve pranë Korpuseve suprimohen dhe krijohen Flotilja 52 LD me qendër në Vlorë, dhe Flotilja 66 LD me qendër në Durrës. Me riorganizimin e ri, 2 Flotiljet kaluan në vartësi të MM.

–Në 1973, për herë të parë në historinë e re të saj FLD, organizohet si njësi operative speciale në vartësi direkte nga Shtabi i Përgjithshëm, duke pasur në vartësi të saj të gjitha njësitë e BUD-eve, Br.ND, Shkollën e lartë të Marinës, Kantierin e Riparimit të anijeve, (KRAF), dhe 3 reparte speciale autonome.

-Periudha e viteve 1980-’90, mund të konsiderohet si periudha e vijueshmërisë së
lundrimeve, mbijetesës në drejtimin e sigurimin e gatishmërisë teknike të anijeve mbiujëse e nënujëse. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe Kantieri Detar i Riparimit të anijeve në Pashaliman.

-Mbas viteve ‘90, për FD shtrohej detyra e ristrukturimit, rikonceptimit të reparteve të saj për një integrim të natyrshëm me strukturat e NATO-s dhe BE. Në këtë periudhë vlen për tu theksuar mbështetja që dhanë efektivat e FD për proceset demokratike në vend, falë pjekurisë politike, shpirtit atdhetar e demokrat të kuadrove e efektivave të FD. U rrit në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimi me Flotat e vendeve të NATO-s, ku u zhvilluan me sukses mjaft stërvitje të përbashkëta si “SAR-EX-1”, “SAR-EX-2”, “MAR-EX-1”, “MAR-EX-2” etj, në të cilat kuadrot tanë treguan një nivel profesional të vlerësuar nga partnerët.

– Në mars 1993, bazën e Kepit të Palit e vizitoi ishsekretari i Mbrojtjes i NATO-s,
Manfred Vërner.

-Në korrik v.1993, BUD-i i Durrësit e i Vlorës u emërtuan Distrikte Detare, ndërsa Shëngjini e Saranda ngelën po BUD-e.

-Në tetor 1995, u bë riorganizimi i Forcave Detare mbi bazën e Distrikteve Detare, Durrës e Vlorë, si dhe Bazave Ndihmuese Sarandë e Shëngjin. Në përbërje të tyre u futën dhe Bateritë e Artilerisë Bregdetare e K/Ajrore, në nivel batalioni. FLD u emërtuan FMD, Forcë e Mbrojtjes Detare.

-Ngjarjet tronditëse të marsit 1997, shkaktuan në repartet e FMD, dëme shumë të mëdha e gati të pallogaritshme. Pjesa më e madhe e anijeve me qëllim që ti shpëtonin valës të shkatërimeve lundroi e u strehua në Brindizi të Italisë. Sipas marveshjes së përbashkët të dy shteteve, pas riparimit të tyre u kthyen në Shqipëri. Gjysma e dytë e vitit 1997 dhe viti 1998 shënoi një etapë ringritje dhe riorganizimi të reparteve të FD pas dëmeve të pësuara. Kështu pas një pune intensive, falë përkushtimit maksimal të kuadrove e efektivave të FD, u bë e mundur ringritja dhe funksionimi i DD të Durrësit e Vlorës, si dhe BnD Sarandë e Shëngjin. Vlen për tu përmendur në këtë proces ringritjeje, ndihma e partnerëve tanë perëndimorë si SHBA, Itali, Turqi, Greqi, etj.

-Më 1998, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit, pas një veprimtarie 40-vjeçare, dolën jashtë stukturave luftarake të FD-së, të 4 ND-et e saj.

-Në mars të vitit 1999, me ndihmën e Departamentit të Shtetit të SHBA, FD u pajisën me 5 motovedeta patrulluese, (3 copë të klasit-65foot, dhe 2 copë-46 foot), të cilat u bënë protogoniste të operacioneve SAR dhe zbatimit të ligjshmërisë detare në këto 15 vite.

-Në 2001, Komanda e Forcave Detare deri në këtë kohë në godinën e Ministrisë
së Mbrojtjes, u vendos në Plepa, Durrës.

-Në 2002, me kontributin e qeverisë italiane, pas miratimit të Ligjit të Rojes Bregdetare
Shqiptare, Nr.8875, (dt.04.04.2002), FD u pajisën dhe me 6 motovedeta (MV të klasit 200 foot) nga Italia, të cilat së bashku me MV amerikane rritën aftësitë operacionale të Rojes sonë Bregdetare në luftën dhe përpjekjet kundër trafiqeve të paligjshme në det.

-Në gusht 2002, 14 anije të FD morën pjesë në operacionin e gjerë antitrafik “PUNA”, në
bashkëpunim me organet e rendit, të antikontrabandës, peshkimit, etj, duke bërë të mundur zvogëlimin e këtij trafiku.

–Më 30 maj 2003, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, u zhvillua Konferenca e 1-rë e Rojes Bregdetare, me pjesmarjen e disa Ministrive, ku u përcaktua vizioni dhe strategjia për të ardhmen e FD, dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera që kanë interesa në det.

-Më 12-23 shtator 2005, në rajonin e Gjirit të Vlorës u zhvillua stërvitja më e madhe e përbashkët detare “Cooperative Engagement-05’’, me pjesmarjen e Flotave të 14 vendeve të ndryshme të botës. Forca jonë Detare mori pjesë me 19 anije të tipeve të ndryshme.

-Në fillim të vitit 2007, Forca Detare kaloi në strukturën e re, Brigadë Detare me dy Flotilje (FDV E FDJ), dhe një Batalion Logjistik (mbështetje).

-Në shkurt 2007, filloi puna për instalimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, (SIHVD), projekt i zbatuar nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”.

-Në nëntor të vitit 2007, u nënshkrua marrëveshja me Mbretërinë e Hollandës (Kantierin Damen Shipyard), për pajisjen e FD me 4 anije patrulluese.

-Nga data 1-5 Mars 2008, 5 anije të Grupit të 2-të Detar të NATO-s, (SNMG2), me qendër në Napoli, zhvilluan një vizitë portuale në vendin tonë. Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e mirëkuptimit midis vendit tonë dhe strukturave të NATO-s. Ky grup detar viziton cdo vit portin e Durrësit dhe Vlorës.

-Më datën 5 Shtator 2008, në molin nr.5 të Portit të Durrësit u zhvillua ceremonia e përurimit të anijes “Iliria”, P-131, e cila mbërriti në Shqipëri në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”.

-Në mars 2009, mbasi u zhvilluan provat finale, u mor në dorëzim nga përfaqësues të MM e FD, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, i instaluar nga specialistët e kompanisë “Lockheed Martin”, i cili aktualisht përbën asetin më të rëndësishëm të zbulimit e vëzhgimit të hapësirës sonë detare, për të gjitha ministritë tona që mbulojnë kufirin blu.

-Në fillim vitin e 2010-ës, me organizimin e ri, Komanda e FD, zhvendoset tek ishkavaleshenca e Ushtrisë, SHPU, pasi atje u vendos QNOD.

-Më datën 2 shtator 2010, në portin e Durrësit u zhvillua ceremonia e marjes në dorëzim të 3 anijeve patrulluese “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Në sajë të parametrave teknikë dhe ushtarakë “ArchAngel” janë në gjendje të zhvillojnë operacione të suksesshme për zbatimin e ligjshmërisë detare si dhe operacione SAR.

-Gjatë këtyre viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta dhe anije antindotje, dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe qeverisë italiane; ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare.

Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012, u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014, u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënon dhe përfundimin e këtij projekti.

-Nga viti 2006, FD është pjesmarrëse në iniciativën dhe stërvitjen rajonale “ADRIJON”, ku  në  3 vite  ka qenë mikpritëse e kësaj stërvitje.

-Në vitet 2016-2019, FD mori pjese në operacionin e NATO-s “SEA GUARDIAN”, në Detin Mesdhe, për ndalimin e emigracionit të paligjshëm në këtë rajon, duke shpëtuar mbi 3500 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

-Ndërkohë Qendra e zhytjes e FD ka zhvilluar dhjetra operacione  në ndihmë të komunitetit dhe operacione EOD në bregdetin shqiptar, kryesisht Vlorë e Sazan.

-Shërbimi Hidrografik i FD, në bashkëpunim me palën norvegjeze, nëpërmjet projektit “ALNO-HIP”, ka grumbulluar dhe përpunuar informacione batimetrike, me qëllim krijimin dhe përditësimin e hartave detare dhe informacioneve lundrimore për detarët shqiptarë. Po, ashtu SHHSH mban në gatishmëri sinjalistikën detare për lundrim të sigurtë të mjeteve detare.

-Sistemi i SIHVD, siguron komunikim dhe të dhëna për FD, FA dhe institucionet e tjera me interesa në det. Tashmë, nga viti i kaluar ju rikthye bashkëpunimit me kompaninë prestigjioze “Lockhed Martin”, për të mbajtur gatishmërinë e sistemit dhe modernizuar atë hap pas hapi.

-Në realizimin e misionit dhe detyrave të saj në det, FD bashkëpunon me institucionet e tjera që kanë interesa në det, si Drejtorinë e Administratës Detare dhe Kapitaneritë e Porteve, Portet Detare, Policinë Kufitare, Antikontrabandën detare, Agjensitë e peshkimit, RDSH, etj.

-Në të ardhmen FD synon përgatijen e bazës së Pashalimanit për ta bërë atë pjesë të NATO-s, pajisjen me anije patrulluese, të afta për cdo operacion të NATO-s, etj.

-Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 95 vjet ekzistencë.

-Të zgjeruar historinë e Flotës Luftarake Shqiptare, sot Forca Detare Shqiptare e gjeni tek:

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e 1-rë, nga lashtësia deri në v.1960.

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e dytë, nga v.1960 deri në v.2012.

GËZUAR  95 VJETORIN, DETARËT SHQIPTARË!

SHËNDET E MBARËSI PËR JU DHE FAMILJET TUAJA!