Të jesh i suksesshëm përtej kufijve nuk është më e pamundur. E aq më pak të studiosh në universitetet më të mira të botës. Këtë na e dëshmon më së miri vajza nga Durrësi, Bora Qesja, e cila është një nga shqiptaret me karrierë të suksesshme jashtë vendit. Ajo është lektore në një nga universitetet më të mira në Australi.

BM: Bora na thuaj diçka më të detajuar rreth shkollimit tënd.

U largova nga Shqipëria kur isha 17 vjeç për të studiuar Bioinformatikë dhe Biologji Kompjuterike në Gjermani (Jacobs University, Bremen). Zgjedhja e një dege në atë moshe ishte e vështirë, por premisa për një të ardhme më të mirë dhe fakti që matematika dhe biologjia ishin dy ndër lëndët e preferuara, e bënë zgjedhjen më të thjeshtë. Ekperienca universitare më ka ndihmuar të formohem profesionalisht dhe personalisht. E pajisur me më shume njohuri, vendosa të ndiqja një master në biznes në Universitetin Internacional të Monacos (Monako), me qëllim përfshirjen në projekte konsulence. Periudha pas masterit u pasua nga disa vite eksperiencë pune, ndër të cilat ishte mësimdhënia në nivel universitar. Zbulova që dashuria për mësimdhenien mund të jetë e trashëguar përderisa të dy prindërit kanë qenë mësues. Për të pasur një karrierë akademike, doktoratura është e domosdoshme. Për këtë arsye, erdha në Australi, ku mbarova Doktoraturën në Biznes (marketing) në Universitetin e Adelaides.

BM: Si u bë i mundur shkollimi yt jashtë vendit? Është financuar nga familja apo përmes bursave?

Çdo fazë e shkollimit është financuar me anë të bursave. Bursa 3 vjeçare nga Jacobs University u bazua në arritjet akademike në gjimnaz, rezultati i testeve të Toefle dhe SAT dhe aktivitetet jashtëshkollore. Bursa nga Universiteti i Monakos i’u dha dy aplikantëve në bazë merite. Bursa e doktoraturës (fond nga Këshilli Australian i Kërkimeve) mbuloi jo vetëm koston e universitetit, por edhe koston e projektit kërkimor dhe pagesën personale. Pavarësisht bursave, familja më ka ndihmuar (me shumë sakrifica) sidomos gjatë Masterit.

BM: Sa e vështirë është për një shqiptare të korrë sukses në Universitetet më të mira të botës?

Besoj se niveli i vështirësisë nuk varet nga nacionaliteti. Si faktor kontribues në nivelin e vështirësisë do listoja gjendjen ekonomike (që e kthen marrjen e bursës në domosdoshmeri). Si rrjedhojë, çdo hap i ndërmarrë, sidomos në fillim të karrierës akademike, merret me qëllimin e vetëm që të ndikojë në rritjen e probabilitetit për të fituar bursë. Megjithëse përpjekja personale nuk ka munguar, e konsideroj veten me shumë fat. Ndër faktorët mitigues do përmendja mbështetjen e vazhdueshme të familjes dhe faktin që për shumë shqiptarë dështimi nuk është opsion.

BM: A të është dashur të bësh punë të ndryshme për të përballuar jetesën jashtë?

Gjatë masterit punova në bibliotekën (në mënyrë që të kisha mundësi të studioja) e Universitetit dhe si kamariere gjatë fundjavës. Gjatë doktoraturës u angazhova si lektore dhe tutore në lëndë të ndryshme akademike. Megjithëse në këtë fazë, puna ishte e motivuar jo nga gjendja ekonomike, (sepse siç përmenda më parë, pjesë e bursës ishte edhe rroga) por nga dëshira për të avancuar profilin personal.

BM: Fakti që ke dy prindër mësues a të ka ndikuar të duash dijen dhe për më tepër ta transmetosh atë tek të tjerët?

Patjetër. Pasionin për biologjinë e matematikën i kam marrë prej tyre. Im atë ka qenë mësues biologjie dhe kimie ndërsa nëna mësuese matematike. Babai ndërtoi laboratorin e kimisë më të mirë në vend (në atë kohë u bë edhe një emision televiziv në TVSH për pasionin dhe kontributin e tij). Ndërsa nëna çdo të Dielë thoshte: “ Mezi po pres të vijë e Hëna dhe të shkoj në punë”. Është e vështirë të gjesh njerëz me një pasion të tillë për profesionin. Sa herë që dilnim, ish studentë të moshave të ndryshme ndalonin për të treguar respektin dhe mirënjohjen. Ndjeva dhe unë të njejtën kënaqësi kur dhashë mësim për herë të parë. Një ambjent i tillë ndikoi edhe në mentalitetin që arritja akademike ishte parësore. Përveç prindërve, vëllai im Arbri ka qenë dhe vazhdon të jetë një shembull personal, mbështetës dhe motivues për mua. Jam shumë mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme për të ecur përpara dhe për t’u bërë e pavarur.

BM: A mund të na përmendësh disa nga çmimet me të cilat je vlerësuar?

Çmimi i parë që më bëri të ndihesha se isha në rrugën e duhur, ishte vlerësimi nga bashkia e qytetit të Durrësit me titullin ‘E ardhmja e qytetit” (i bazuar në rezultatet e arritura në 4 vitet e shkollës së mesme). Bursat e studimit do t’i konsideroja si ‘çmimet’ më të rëndësishme. Domethënia besoj mund të imagjinohet. Nje çmim tjetër i rëndësishëm për mua është fakti që artikulli që dorëzova në konferencën e marketingut për Australinë dhe Zelandën e Re (ANZMAC 2017) fitoi çmimin si artikulli më i mirë në fushën e studimit të konsumatorëve. Ky vlerësim më konfirmoi që studimi kërkimor kishte impakt dhe më motivoi për të vazhduar më tutje.

BM: A e ke menduar ndonjëherë të kthehesh në Shqipëri dhe ta investosh këtu dijen tënde?

U ktheva në Shqipëri për dy vite përpara se të filloja doktoraturën. Gjatë kësaj periudhe gjetja e një pune ishte një proces shumë i veshtirë dhe jo transparent. Rrogat e vogla, nevoja për njohje dhe përfshirja në politike, mungesa e meritokracisë, situata ekonomike, kurrupsioni, ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në rilargimin nga Shqipëria.

BM: Cili është mesazhi yt për rininë shqiptare?

Do rekomandoja të jenë gjithmonë ngulmues. Nuk është domosdoshmerisht inteligjenca që ndikon në sukses, por këmbëngulja e vazhdueshme. Nëse diçka duket e vështirë ose e paarritshme, përpiqu! Nuk ke shumë për të humbur, por gjithçka për të fituar.

BM: Cilat janë planet e Borës për të ardhmen?

Në të ardhmen e afërt e shoh veten në Australi. Më pëlqen stili i jetesës, mundësitë për punë dhe balanca midis punës dhe jetës personale. Për momentin punoj si lektore dhe konsulente dhe më pëlqen fakti që puna që bëj ka një efekt pozitiv. Shpresoj që në të ardhmen të vazhdoj të përfshihem në projekte që kanë një impakt konkret në shoqëri.

Marrë nga Bussiness Magazine