Nëse kjo nuk mund të konsiderohet si një deklaratë dashurie, atëherë mungon vërtetë pak që diçka e tillë të ndodhë. Presidenti i Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelaifi është i çmendur pas Cristiano Ronaldos dhe nuk përdor shumë fjalë për të vlerësuar ylli portugezin dhe për t’i dërguar një mesazh të fortë dhe të qartë vetë CR7-ës.

“Vit pas viti, Cristiano Ronaldo po tregon një vendosmëri unike, një forcë të jashtëzakonshme karakteri”, deklaron presidenti i PSG për France Football.

Më tej Khelaifi shton: “Qëndron gjithmonë i motivuar dhe ka dëshirën për t’u përmirësuar ditë pas dite, duke nxjerrë nga vetja edhe më shumë se limitet e tij. E admiroj këtë forcë vullneti të pabesueshme. Ronaldo është një shembull i madh për të gjithë sportistët e të ardhmes. Bujaria e tij jashtë fushe nuk njihet nga të gjithë dhe për këtë më vjen keq”, nënvizoi numri 1 i kampionëve të Francës.

Fjalë këto që me siguri kanë përfunduar në veshin e Cristiano Ronaldos duke bërë që në media të shtohen zërat për një transferim të mundshëm të yllit luzitan te Paris Saint Germain.

CR7 ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2022 por nuk mund të përjashtohet kurrësesi mundësia e largimit të tij nga bardhezinjtë në merkaton e kësaj vere, për të provuar një eksperiencë të re në një tjetër kampionat sidomos nëse Ronaldo fiton Champiosin në këtë edicion me skuadrën e Sarrit.