“I veçantë, me fuqi krijuese, inteligjent”, – ky është përkufizimi i fjalës “gjeni” dhe një gjeni me fanellën blu, njësoj si ngjyra e gjeniu të Aladinit, por me një fizik më të mbledhur është Dejvi Bregu.

Nuk po i zbulojmë sot cilësitë e vlonjatit, por është shumë e veçantë që edhe pas 9 vitesh që nga dita e debutimit të tij me fanellën e Flamurtarit në një ndeshje kundër Laçit, Bregu vazhdon të impresionojë me veprimet që bën në fushë.

Goli i realizuar në supersfidën ndaj Laçit ishte një vepër arti, një pikturë e bukur, një poezi emocionuese, një melodi që ke dëshirë ta dëgjosh e ridëgjosh, në këtë rast ta rishikosh.

50 gola në Superiore, ky ishte më i magjishmi, diçka që edhe vetë autori i kryeveprës e pranoi.Mënyra se si i nisi driblimet, se si vallëzoi mes mbrojtëse dhe se si e finalizoi, të ngjasonte me inkursionet e një ikone si Leo Messi, ndryshonte vetëm krahu.

Dejvi Bregu nuk erdhi tek Teuta me entuziazëm, sepse për shumë muaj prit një transferim jashtë Shqipërisë, por ky klub e ka përfshirë tashmë “kokë e këmbë” dhe nuk e teprojmë nëse themi që është lojtari më i mirë i skuadrës.

Vrapon si nuk ka vrapuar ndonjëherë në karrierën e tij, lufton për çdo top dhe është i kthjellët kur duhet të realizojë lëvizjen e duhur në fazën sulmuese.

Me 9 gola në kampionat, Bregu është golashënuesi më i mirë i ekipit dhe me 7 asiste, asist-mani më i mirë i skuadrës, madje duke shtuar edhe Kupën golat, shkojnë në 10 dhe pasimet vendimtare për gol kapin numrin 9, shifra që dëshmojnë sezonin në rritje të vazhdueshme të “gjeniut të vogël”. Një as i vërtetë në duart e Edi Martinit.