Zlatan Ibrahimoviç është unik në llojin e tij dhe kjo nuk zbulohet sot. Sulmuesi suedez, përveçse një njohës i mirë i portës, ai di të shënojë “gola” edhe me deklaratat e tij. E tillë ishte edhe ajo pas ndeshjes ndaj Interit.

Kur Ibra u pyet nëse Interi mund të fitojë kampionatin këtë sezon, përgjigjja e sulmuesit ishte e prerë: “Jo”. Por 38-vjeçari, në prag të ndeshjes me Juventusin, në Kupën e Italisë, ka qenë në qendër të vëmendjes së emisionit humoristik italian, “Striscia la Notizia”, të cilët i kanë dorëzuar çmimin “Tapiro d’Oro”.

“Ah, erdhi trofeu i parë për mua në Milano, faleminderit. Madje, ky është i treti gjatë karrierës sime në Itali”, bëri shaka futbollisti. Në një bashkëbisedim tepër të veçantë me gazetarin Valerio Stafeli, ky i fundit e ka pyetur Ibrën nëse futbollistët e Milanit meritojnë ndoshta pak piper në prapanicë që të zgjohen dhe suedezi nuk e ka mohuar, duke mbajtur sigurisht lojën dhe bisedën satirike me gazetarin, duke u përgjigjur: “Kur humb derbin, është normale që të jesh nervoz, prandaj po, pse jo. Do ta provojmë me piperin…”.

E gjitha kjo ishte në kuadrin e shakasë, por pavarësisht përshtatjes në mënyrë të përkryer me formatin e intervistës në lëvizje, pasi Ibra ishte në një fugon luksoz i ndjekur nga gazetari që drejtonte një motor me mikrofon në dorë, në një nga rrugët e Milanos, bomberi kuqezi bëhet disi më serioz kur pyetet për duelin e mbrëmjes së sotme me Cristiano Ronaldon.

“Nesër (sot) është dueli im me CR7-ën? Kush është ky?! përgjigjet Ibra, me një fytyrë të ngrirë. – Nuk e njoh. Doja të thosha se e di kush është nëse është në fushën e lojës, por jashtë fushe nuk e njoh. Shkëndija mes nesh? Jo, jo, absolutisht. Ai është një profesionist shumë i zoti dhe po bën mjaft mirë me Juventusin. Por edhe unë po bëj shumë mirë me Milanin, prandaj vazhdojmë…”.

Në fund, për ta mbyllur me paksa ironi, gazetari e pyeti se kush ishte ai që e bindi të rikthehej në këtë Milan jo në formën e viteve të arta, por Zlatani nuk stepet:

“Milanin e zgjodha unë, vetëm unë, sepse kam ende shumë pasion për futbollin, kisha dëshirë të kthehesha në Itali, por mbi të gjitha të rivishja bluzën e Milanit. Ndihem mirë dhe mos kini frikë jo, se nuk do ia mbath askund.  Këtu jam! Tani të bëjmë mirë me Juventusin dhe të shohim. Faleminderit për tapirin, por shpresoj të mos jetë një rekord për mua… (qesh). Edhe pse në moshën 38-vjeçare, të kem marrë kaq pak çmime si ky, nuk është keq”, përfundoi numri 21 i “Djallit”.