Marouane Fellaini është filmuar ndërsa godet me shuplakë, ose të paktën përpiqet, një tifoz që po filmonte atë dhe shokët e tij të skuadrës te Manchester United, të cilët po prisnin trenin për t’u kthyer në shtëpi pas fitores kundër Watford.

Një person iu afrua yjeve të United duke i filmuar me celular e më pas u përfshi në një debat të ashpër me policinë dhe rojet e sigurisë. Kur lojarët e kuptuan që ai po i filmonte, Fellaini u përpoq t’ia hiqte telefonin nga dora.Pjestarë të sigurisë së United iu afruan personit në fjalë dhe i kërkuan të largohej, por ai nuk pranoi.

Ai dëgjohet duke bërtitur “mos më prek” ndërsa një prej pjesëtarëve të sigurimit përpiqet ta largojë nga Fellaini, Jesse Lingard dhe Victor Lindelof. Më pas ai iu drejtua rojeve duke u thënë: “Po qendroj këtu duke parë lojtarët e Manchester United që po marrin trenin për t’u kthyer në Manchester, vetëm kaq. Mund të shkoj ku të dua dhe të bëj sa foto të kem dëshirë. Nuk më thoni dot se ku të shkoj”.

Më pas aty afrohen dy oficerë policie të cilët e shoqërojnë personin larg nga skuadra angleze. Por ndërsa largohej, me celularin gjithmonë hapur duke regjistruar, ai dëgjohet të urojë Romelu Lukakun për rezultatin ndërsa belgu e falënderon. Zakonisht, United udhëton me tren për në Londër sa herë që ka ndeshje aty në vend që të marrë avionin.