Goli ndaj ukrainasve ishte i 750-i në karrierë për portugezin, që për herë të parë në një ndeshje zyrtare e ka dërguar topin në rrjetë më 7 tetor të 2002-shit, në një ndeshjes mes Sportingut të Lisbonës dhe Morieirenses.

Me Sportingun në fakt ka shënuar vetëm 5 gola, ndërsa më pas ka vijuar të shënojë 118 me Manchester United, 450 me fanellën e Realit të Madridit, 75 me atë të Juventusit dhe 102 me përfaqësuesen e Portugalisë.

Më 14 tetor të vitit të kaluar, Cristiano Ronaldo kishte shënuar golin e tij të 700-të në karrierë dhe në pak më tepër se një vit ka arritur të dërgojë topin edhe 50 herë të tjera në rrjetë, ndërsa synimi është të kalojë numrin 800 të golave të shënuar, pasi rekordi absolut botëror është vetëm 56 gola larg.

Golshënuesi më i mirë në botë është Josef Bican me 805 gola, i ndjekur nga Romario dhe 772 dhe Pele me 761 gola, ndërsa pikërisht parakalimi i legjendës braziliane është objektivi më i afërt i Cristiano Ronaldos.

Përveç rekordit total të golave, Ronaldo synon të vendosë rekord edhe sa u përket golave të shënuar me përfaqësuesen, pasi deri tani ka shënuar 102 të tillë dhe është vetëm 7 gola larg rekordit të iranianit Ali Daei.

“750 gola, 750 buzëqeshje, 750 momente të lumtura për tifozët tanë. Falënderoj të gjithë lojtarët dhe trajnerët që më ndihmuan të arrij këtë shifër të rëndësishme. Falënderoj të gjithë kundërshtarët që më kanë nxitur të punoj çdo ditë e më fort, por mbi të gjitha falënderoj familjen time të mrekullueshme, që më ka qëndruar pranë në momentet e mira dhe të këqija. Ndalesa e radhës, 800 gola”, shkroi portugezi në Instagram mbrëmjen e djeshme.