Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, sqaroi pse festoi në një mënyrë që nuk e ka bërë kurrë më parë, por edhe për tema të ndryshme.

Sa e vështirë ishte të arrije te këto 3 pikë pas disa barazimeve radhazi?

Nuk dua të justifikohem për atë situatë që ka kaluar ekipi dhe ky qytet. Dëshira ishte që të bënim minimumin për këtë qytet, e kishim detyrim fitoren. Ishte hera e vetme që gëzova në atë mënyrë, do jetë hera e vetme. Dëshira ishte e madhe që në këtë situatë të merrnim 3 pikë dhe ia arritëm.

Tani jeni 3 pikë larg kreut…

Kjo fitore duhet të na japë besim. Nuk kemi humbur, por kemi bërë disa barazime. Më mirë të humbnim ndonjëherë, dhe të fitonim, sepse llogaria do dilte më mirë.

Pse mendohej që mund të rrezikonit në rast të një rezultati jo të mirë?

Mua do më pëlqente të rrezikoja, sepse do më bënte të kisha më shumë presion dhe kënaqësi për të ecur më mirë. Për mua këto janë situata normale, që mund t’i ndodhin çdo trajneri. Nuk e mendoja që isha në pikëpyetje për të vijuar punën apo jo. Më pëlqen të punoj në presion dhe të kem sa më shumë motive. Shumë herë ndodh që klubet nuk kanë durim, ndërrohen trajnerët. Por, te ky klub kam parë që drejtuesit kanë besim te unë dhe te lojtarët.

Do të vazhdosh me këtë grup lojtarësh, apo pritet ndonjë revolucion?

Në futboll nuk mendoj se ka ndonjë ekip që i sheh gjërat si i sheh në letër apo teori. Unë jam i kënaqur nga ky grup, nuk do ketë revolucion nëse unë do jem trajneri. Të gjithë stërviten mirë, pastaj për të rregulluar gjërat do të punojmë shumë.

Vuani shumë për të shënuar, çfarë nuk shkon?

Kjo pjesë mund të rikuperohet duke u stërvitur. Pjesën e dytë bëmë shumë më mirë. Nuk duhet ta harrojmë sa cilësi kemi dhe kë kemi përballë. Kampionati shqiptar nuk ka aq diferenca, sa një ekip të mundë dukshëm një tjetër. Edhe Skënderbeu në ndonjë repart ka shumë cilësi, në ndonjë repart tjetër më pak.

Arapi, Gashi dhe Aleksi mungojnë ndaj Kukësit…

Kemi tri ndeshje në një javë dhe i kemi shumë të rëndësishme. Do të donim që ndaj Kukësit t’i kishim të gjithë lojtarët. Të gjithë paguhen për të luajtur në momentet që u jepet mundësia. Kam besim se do bëjnë një paraqitje dinjitoze ata që do jenë në fushë ndaj Kukësit apo Partizanit.