Një video e publikuar në llogarinë e futbollistit të Mançester Junajtid Xhesi Lingard ka irrituar pa masë trajnerin e tij Ole Gunar-Solskjaer.

Futbollisti anglez po kalonte pushimet në Majemi të SHBA-së bashkë me shokun e skuadrës Markus Rashford dhe aty bën komente të shëmtuara ndërsa njëri prej shokëve të tij imitonte sikur kryente marrëdhënie seksuale.

Vetë Lingard këmbëngul se nuk kishte për qëllim ta shpërndante video-n për të gjitha fansat e tij, por ta shkëmbente me njërin prej miqve të tij.

“Ishte një gabim nga ana ime. Kam shumë ndjekës të rinj dhe nuk do të doja kurrë t’i ofendoja qëllimisht. Ishte një aksident. Doja t’ia dërgoja privatisht njërit prej miqve të mi. Isha në avion kur po prisja të nisesha. Dikush nga klubi më kërkoi ta fshija video-n. Kur e kuptova se çfarë kisha bërë, zemra ime u zhyt në stomak. Thashë me vete: ‘Mora fund te Junajtid. Kjo ishte hera e fundit’’, rrëfen futbollisti anglez.

Trajneri Solskjaer ka kritikuar ashpër futbollistin e tij dhe pritet që ndaj tij të merren penalizime.