20 vite më parë, në Durrës do të startonte Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, një event kulturor ky që synonte që përmes interpretimit të disa prej pjesëve më të bukura të muzikës klasike të sillte për artdashësit jo vetëm muzikë të mirë, por edhe të shërbente si një urë komunikimi mes instrumentistëve të vendeve të ndryshme, si dhe për të evidentuar instrumentistët më të mirë shqiptarë.
20 vite më pas, misioni duket i përmbushur me sukses. Në konkatedralen “Shën Luçia” të Durrësit, repertori me pjesë nga kompozitorë të famshëm botërorë krijoi për të pranishmit momente plot emocion. Më e emocionuara nga të gjithë ishte pikërisht drejtuesja artistike e “Chamber Fest Durrës” prej 20 vitesh, instrumentistja Nevila Kalaja.
Nevila Kalaja, drejtuese artistike: “20 vjet nuk janë pak për të kuptuar se pas kësaj që shohim është një punë tepër e madhe, kolosale. Por e bërë me tepër dëshirë dhe pasion gjithashtu. Mbrëmja e sotme është pikërisht një konkluzion shumë i bukur i 20-vjetorit, pasi instrumentistët austriakë që performojnë sonte janë pjesë e historisë së këtij festivali. Violinisti është instrumentisti që ka çelur natën e parë të Festivalit të parë të Muzikës së Dhomës”.
Wolfgang David, violinist: “Është shumë bukur të jem sërish këtu. Unë interpretova në natën e parë të festivalit të parë. Akoma e mbaj mend, sesa i emocionuar isha dhe sesa atmosferë e bukur ishte. Nuk e besoja se pas 20 vitesh do të vija sërish këtu për të interpretuar në festival”.
Përgjatë 20 viteve të ekzistencës së tij, festivali është mbështetur fort nga ambasada austriake në Tiranë, dhe dëshmi e kësaj ishte prezenca e ambasadores Monica Zach, mbrëmjen e së premtes në konkatedrale.
Monica Zach, ambasadore e Austrisë: “Jemi të lumtur që kontribuojmë në Festivalin e Muzikës së Dhomës. Këtë vit është edicioni XX dhe jam shumë e lumtur që ambasada austriake e ka mbështetur këtë festival që nga fillimi. Natën e sotme, dy nga instrumentistët që do të performojnë sonte, performuan në edicionin e parë të festivalit dhe kjo dëshmon urat që muzika mund të krijojë mes njerëzve dhe vendeve”.
Edicioni XX startoi më 27 qershor dhe do të përmbyllet më 21 korrik. Përgjatë të gjitha netëve të programuara në kalendarin artistik festivali synon t’i ofrojë publikut mbrëmje të jashtëzakonshme emocionesh unike dhe të papërsëritshme.
M.B.