28.931 nxënës nisën sot vitin e ri arsimor në Durrës, nga të cilët 1515 u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.

Vogëlushët e klasës së parë ishin plot emocion, ndërsa si çdo vit nuk mungonin lulet për mësueset e tyre.

Në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” nisën mësimin 328 nxënës në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm.

Për drejtorin e shkollës Orges Mema, ky vit arsimor nis me sfida të reja, por ai shpreson në një mbarëvajtje të plotë të tij, pasi problematikat që shkaktoi pandemia Covid-19 duket se janë lënë pas.

Përgatitja për vitin e ri arsimor shoqërohet me shpenzime të shumta për familjet. Rritja e çmimeve ka detyruar shumë nga familjet të shpenzojnë gati dyfish më shumë për veshjet dhe bazën materiale, ndërkohë librat i kanë marrë falas.  

Durrësi e nis këtë vit të ri me 2% më pak nxënës në ciklin 9-vjeçar dhe 8% në atë të mesëm. 13 shkolla, kryesisht të ciklit të mesëm, do ta zhvillojnë procesin mësimor në turnin e dytë në shkollat pritëse, sepse ende nuk janë rindërtuar. Për të tretin vit radhazi, rreth 4700 nxënës do të zhvillojnë mësimin pasdite, ndërkohë që 3 vite pas tërmetit janë rikonstruktuar dhe ndërtuar nga e para 17 shkolla e kopshte, që mirëpresin 7993 nxënës që e zhvillojnë mësimin në kushte bashkëkohore.

M.B.