Ngrënia e përditshme e arrave mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për kancer të zorrës së trashë dhe në reduktimin e inflamacionit në organizëm, sipas një studimi të ri shkencor.

Studiuesit zbuluan se substancat bimore të quajtura ellagitannins, që ndodhen në arra, shndërrohen në molekula anti-inflamatore të quajtura urolithina nga mikrobioma e zorrëve. Në veçanti, urolithina A ka treguar efekte të forta kundër inflamacionit dhe konsiderohet se ndihmon në parandalimin e kancerit.

Në një provë klinike me 39 persona të moshës 40–65 vjeç, të cilët kishin rrezik të lartë për këtë lloj kanceri, pjesëmarrësit u përfshinë në një regjim ku fillimisht ndaluan konsumimin e ushqimeve me ellagitannins për një javë, e më pas konsumuan arra për tre javë. Në përfundim, ata iu nënshtruan një kolonoskopie me teknologji të avancuar.

Rezultatet treguan se personat që prodhuan nivele të larta të urolithinës A kishin më pak shenja inflamacioni në gjak, jashtëqitje dhe urinë. Efektet pozitive u vunë re veçanërisht tek individët obezë dhe ata me një mikrobiomë të përshtatshme.

Për më tepër, imazheria tregoi se indet e polipeve kishin më pak proteina të lidhura me kancerin, si vimentina, te pjesëmarrësit me nivele të larta të urolithinës A.

Ky studim mbështet kërkimet e mëparshme që vënë në dukje efektet mbrojtëse të arrave ndaj kancerit. Dr. Rosenberg, një nga autorët e studimit, thekson: “Konsumi ditor i arrave mund të përmirësojë ndjeshëm shëndetin e zorrëve dhe të ulë inflamacionin, sidomos tek individët obezë. Vetëm një grusht arra në ditë mund të ketë një ndikim të madh afatgjatë në shëndetin tuaj.”