Sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS nuk ka lënë pa prekur as policinë e Durrësit.

Pas portit, tashmë probleme me sistemin janë raportuar edhe në policinë e qytetit bregdetar.

Inxhinieri i rrjeteve kompjuterike, Erjon Demiri zbuloi se ka informacione që në Drejtorinë e Policisë në Durrës punonjësit nuk munden të ndezin dot kompjuterët.

“Unë di të paktën një zyrë të rëndësishme të policisë e cila s’ndez kompjuterët e vet, pasi u është dhënë urdhër.

Bëhet fjalë për Drejtorinë e Policisë në Durrës, të paktën deri dje, nuk e di çfarë ka ndodhur sot. Sulmet ndodhin, por ne arrijmë t’i shikojmë ose kur jemi shumë të zotë, ose kur ata vendosen të na shfaqen ne, e njëjta gjë ndodhi në 15 korrik.

Nga 15 korriku deri tani unë nuk e di çfarë është bërë. A kemi ndenjur në plazh apo kemi testuar dhe kontrolluar të gjitha këto sisteme?!

Mënyra si janë ndërtuar AKSH-i dhe TIMS janë praktika që përdoren në botë. Shfaqja e fotografive të 4 hakerave është pa vlerë në aspektin teknik. Garda Revolucionare e Iranit ka një seksion të gjerë në kibernetik.

Nuk janë keqbërës të thjeshtë. Janë persona vendimmarrës. Janë disa grupime të tjera kundër tyre që mundohen t’u çjerrin maskën. Nga aspekti teknik nuk ka relativisht vlerë, përveçse të shikojmë si këta persona reagojnë”, thotë për “MCN TV” inxhinieri.