Ildi Gruda, sulmuesi i Teutës, ka folur për ndeshjen e radhës me Partizanin. Fillimisht ai ka treguar gjendjen e tij që po kalon dhe është i bindur që Teuta do të bëjë maksimumin për të marrë pikët e plota në këtë duel, që është shumë i rëndësishëm për ecurinë e bluve në kampionat.

Nuk dolët pa pikë nga Rrogozhina, të kënaqur?

E rëndësishme është që siç e thatë dhe ju nuk dolëm pa pikë, edhe pse rastet ndoshta ishin më të pastra dhe ne me pak fat mund t’i shfrytëzonim më mirë për të marrë maksimumin nga kjo sfidë, por dhe Egnatia pati rastet e veta ku mund të na ndëshkonte. Morëm atë që mundëm dhe dolëm me kokën lart. Na duhet të punojmë më shumë për sfidën e radhës. Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë fund kampionati.

Sa i kënaqur jeni me formën e treguar?

Një futbollist asnjëherë nuk duhet të jetë njëqind për qind i kënaqur me formën e vet, pasi synon gjithmonë të japë më shumë. Them të drejtën, jam përshtatur mirë dhe po ndihem i kënaqur, mirëpo besoj me kalimin e kohës do të jap akoma më shumë.

Po shënoni vazhdimisht. Si po ndiheni?

Në këtë periudhë golat e bukur po më ndjekin, por nëse do të shënoj edhe golat e thjeshtë i bie të shënoj më tepër. Do të ishte një kënaqësi e veçantë për të ndihmuar Teutën në arritjen e fitores dhe shpresoj të shënoj edhe ndaj Partizanit.

10 ditë kohë për një superndeshje ndaj Partizanit?

Vijmë nga një barazim në një ndeshje që duhej të fitohej dhe barazimi nuk ishte rezultati qëne prisnim. Por ndaj Partizanit ne do të futemi vetëm për tri pikët, pasi synimi ynë është të jemi në luftë për Europën.

Një pikë është e pranueshme apo llogarisni vetëm tri?

Në dëshirën dhe llogaritë tona janë gjithmonë vetëm tri pikë. Patjetër që pikët merren në fushë, e rëndësishme është qëne të bëjmë maksimumin, të bëjmë një lojë të mirë dhe sa pikë do të marrim do ta shohim në fund. Pikët varen dhe nga mënyra sesi luajmë. Kam shumë dëshirë që të bëjmë një lojë të mirë, rastet që do të na paraqiten t’i shfrytëzojë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe më pas në fund të ndeshjes do të shohim dhe do t’i bëjmë një analizë të thellë.

Do të synoni Kupën, pasi është një rrugë me e shkurtër për Europën?

Teuta ka synim të fitojë Kupën dhe duke ditur tri ekipet e tjera që kemi në gjysmëfinale cilado që do të na bie si rival nuk do të ndryshojë ambiciet tona për të kapur finalen. Ne i respektojmë, por thashë duam finalen, shpresoj që të kemi përparësinë e ekipit pritës në ndeshjen e dytë dhe me përkrahjen e publikut të shkojmë në finalen e Kupës.