Ildi Gruda nuk është më lojtar i Teutës. Pas katër sezonesh radhazi si pjesë e durrsakëve, ku arriti të fitojë gjithçka, sulmuesi shkodran është ndarë sot me klubin.

23-vjeçari ka tërhequr letrat dhe është tashmë futbollist i lirë në treg.

Gjasat janë që karriera e tij të vijojë në një tjetër skuadër të Superiores, por kjo do të mësohet në vijim.Në kampionatin e fundit shkodrani u aktivizua në 26 ndeshje dhe shënoi 4 gola.

23-vjeçari ishte pjesë e klubit durrsak prej janarit të vitit 2020, duke fituar me Teutën titullin kampion, Kupën dhe Superkupën.

“Faleminderit Ildi Gruda! KF Teuta komunikon përfundimin e bashkëpunimit me sulmuesin Ildi Gruda, i cili nga sot nuk është më pjesë e Teutës. Lojtari largohet nga Teuta duke lënë mbrapa plot kujtime për tifozerinë stafin dhe ekipin. Faleminderit Fanella me nr. 7 për gjithçka.Përgjithmonë pjesë e familjes blu. Shumë suksese në vazhdim kampion”, lexohet në komunikatën zyrtare të Teutës.