Një tjetër superjaht prek portin e Durrësit. Në kalatën portuale numër 5 është akostuar sot jahti luksoz Phoenix 2, i prodhuar në vitin 2010.

Në pronësi të miliarderit polak Sebastian Kulczyk, një nga njerëzit më të pasur të Polonisë, superjahti luksoz kap vlerën 160 milionë dollarë. Bëhet me dije se jahti Phoenix 2 është furnizuar me 50 mijë litra naftë.

Me superstrukturën e tij prej alumini, motorët me naftë, gjatësinë 90 metra dhe shpejtësinë e lundrimit 14 nyje, Phoenix 2 është një zgjedhje e shkëlqyer për lundrim në distanca të gjata dhe eksplorim të oqeaneve të botës.

Përgjatë 8 muajve të parë të vitit, në kalatat portuale të Durrësit janë akostuar rreth 260 jahte dhe veliera luksoze, ndërkohë që vetëm dy muajt e fundit, në portin më të madh në vend kanë ardhur për t’u furnizuar me naftë disa prej jahteve të njerëzve më të pasur të botës dhe prodhime superluksoze të viteve të fundit si:  M/Y A+ , Black Pearl, Koru, Katara etj.

Një javë më parë, kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka deklaroi se nga taksa e karburantit prej 40 lekësh me të cilën taksohet nafta pa akcizë me të cilën furnizohen jahtet, shteti shqiptar ka grumbulluar më shumë se 10 milionë dollarë.

Periudha janar – gusht 2023

Sasia në M3 e karburantit = 22’750;
Sasia në Ton e karburantit = 18’995;
Të ardhurat = 910 milionë lekë.