BUJAR QESJA

Në pamje është foto shumë modeste. Një shkrepje aparati dhe kaq. Por kjo që po çfaq, nuk është thjeshtë shkrepje dhe mbaroi puna. Jo, jo! Kjo është shkreptimë, që godet fuqishëm, në këtë që quhet truri ynë dhe kthehet në një hajmalie në duart tona. E kam marrë foton dhe e kam vendosur m’u përballë, atij, kompjuterit tim. E shikoj dhe e shikoj me vëmëndje.

Nuk e shijova foton më parë, kur e publikoi i biri i Sanije dhe Nelo Lukaçit – Romiri. Për mua dhe zanatalinjtë si unë, fotojo që nuk sqaron emrat dhe t’i bëjë të njohur, humbet vlerën, është e barabartë të mos ekzistojë.

E kisha këtë foto edhe nga djali i Erjeta Pocolit- Altini, po përsëri nuk vinte e plotë. Përmëndej tek tuk ndonjë emër, por jo i tërë grupi. Kanë qenë së bashku. Kanë punuar së bashku. Janë çfaqur me kostumin e hijshëm të mësueses, për t’i dhënë nder dhe krenari nxënësve.

Mbase nuk e kam të plotë, por në këtë rast më intereson idea se: …shkalla e zhvillimit kulturor të një vëndi, varet nga shkalla e zhvillimit të arsimit… Mënçuria e brezit të ri, vijon dhe i jep drejtimin një vendi, nga arsimimi, kultura, dijet dhe arsyetimet e thelluara dhe të bazuara.

Këtë vlerë kanë këto 13-të zonja të arsimit të Durrësit, këto 13 zonja të shkollës 7-8 veçare “Dalip Tabaku”, të kësaj shkolle ku unë mbarova këtë cikël arsimimi. Kam patur vështirësi, në vitin e plotë të prezantimit të pamjes, pra kur është shkrepur aparati nuk e di se i kujt, që na jep pamjen e 13-të të bukurave, të nderuarave, të respektuarave zysha të shkollës time “Dalip Tabaku”.

Absolutisht se nuk i bëj karshillëk, emrit të mësuesit të nderuar “Jusuf Puka”, por ky “Dalip Tabaku” është emri i asaj shkolle, që e kam vendosur 72 muaj mbi fletoret dhe librat e mi. Është shkolla e shokëve të mi të klasës Hajg Zaharianit, Kristaq Priftit, Eleni Theodhorit, Edmond Ziut, Nazif Tivarit, Hiqmete Bidulit, Filip Lenës, Ramazan Pekut, Besnik Totos, Liri Gjinalit, Ilir Hoxhës, Hajdar Aliut, Martin Bushkolës, Aleksandra Koçit, etj. Është shkolla, ku dhanë mësim Pjetër Dungu dhe Feim Ibrahimi, emra historikë, emra legjende të muzikës shqiptare.

Më vijne në memorie emra dejtuesish si Miser Voci, Ali Çinari, të Naim Rexhës, por edhe të mësuesve, që më kanë dhënë mësim nga viti 1962 deri në vitin 1964. I bie 62 vite të shkuara. Prandaj kanë vlerë këto foto dhe nuk janë shkrepje dosido. Prandaj dhe këmbëngul, të mos lejë qoftë edhe një gërmë mangut, të emrave dhe mbiemrave të tyre. Mision jo i lehtë, por që të nxjerr faqebardhë para atyre, që janë durrsakët e mi të shtrenjtë dhe shumë të dashur.

Iu luta Mynevere Kullollit, bashkëshortes së mësuesit të njohur, mikut të shumicës së durrsakëve Daut Hoxhës, që të më ndihmoj me sa mundet, në përcaktimin e emrave të mësueseve të kësaj fotoje. Mendojmë se i takon të jetë fund viteve 70-të dhe mbase dhe e fillimit të viteve 80-të. Deri këtu dhe jo me tej. Me veprim të thjeshtë arithmetik, jemi gati në 43-44 vite të kësaj pamje të rrallë, të bukur, e vlefshme për ta trajtuar në një shkrim enkas.

E falenderoj Mynevere Kullollin, e cila në kohën e fotos, ka qenë drejtoreshë e shkollës “Dalip Tabaku” dhe me fuqinë e memories, na jep fatin e madh ta kemi të plotë pamjen e veçantë. Vërtet janë 13-të mësuese, por mbeten kapitull jo vetëm i mësimdhënies, por edhe staturë e palëvizur e kulturës, formimit dhe avancimit, të kristalizimit të cilësive qytetare të durrsakëve.

Do t’i referohem dy herë, emrave të plotë të tyre. Dhe në tekst, por edhe në mbarim të materialit. Mund të ketë ndonjë mospërputhje, me vetëm ndonjë gërmë. Përshembull emri Henerieta, e di fort mirë që është Erjeta. Apo emri Vilhelmina, ka një version që e trajton si Vihelmira. Por në tërësi fotoja zotëron plotësisht realitetin e saktë të emrave dhe mbiemrave të 13-të mësuesesve.

Cilat nuk jetojnë? Janë Silva Themeli, Erjeta Pocoli, Nafije Milaqi, Sanije Lukaçi, Vilhelmina Prifti, Xhyhere Këlliçi dhe Bukurie Libohova. Erjeta Pocoli e lindur me 4 janar 1935 dhe e ndarë nga jeta në Amerikë me 7 nëntor 2017, është mësuesja ime e kimisë dhe biologjisë. Një mësuese kryevepër. Një zonjë po kryevepër. Eh kultura e saj mahnitëse! Kujtime, që si lum i fuqishëm, kanë bërë shtratin m’u në këtë zemrën time.

Xhyhere Këlliçi, rusishtja e jonë. Mësuesja kujdestare. Sa shumë na mësuan! Po pse këta që jemi sot, nuk janë edhe ata që sjanë sot, këto mësuese tonat? Ne jemi ata dhe këtë nuk e luan topi. Ne jemi të gjallët e tyre dhe mosharresa e tyre, përjetësia e tyre. Ky është mision dhe këta misonare, u përpoqa të mos i lej anonime.

Njoh Sanije Lukaçin, të shoqen e skulptorit nga më të mirët tanë Nelo Lukaçit. Vjen nga fisi i njohur i Syzive. Vilhelmina Prifti, gruaja e një kolosi të arsimit Ligor Prifti. Po kështu edhe Bukurie Libohova, bashkëshortja e të famshmit drejtues të arsimit Fatmir Libohova. Ku harrohen këta! Frosina Llalla, mësuese e ciklit të ulët. E mrekullueshme, mahnitëse në komunikim.

Tjetër emër i njohur për Durrësin është edhe zotnija i saj. Mjeshtri i madh i rrjetës durrsake dhe kombëtare Napolon Llalla. Nafije Milaqi, është e shoqja e infermierit historik Musa Milaqit, e ëma e kapitenit të njohur të vaporrit “Vlora” Halim Milaqit. Edhe në këtë shtrirje kështu, fotoja ridimensionon vlerat e saj.

Po kështu me taban dhe me themel në Durrës, është edhe pozicioni i mësueseve të tjera si Silva Themeli, Elsa Karamuço, Liri Elezi apo Liri Bilali, Bena Stepa, Hatixhe Strazimiri dhe drejtoresha Mynevere Kullolli.

E kisha këto foto prej vitesh. Po nuk më ndodheshin emrat. Prita dhe prita, derisa erdhi kjo ditë e 16 majit 2024. Jam i sigurtë që me këtë mënyrë publikimi, mësueset që nuk jetojnë, do të lëvizin nga parajsa e tyre dhe ato me frymë enden në kënaqësinë e pafund shpirtërore. Dhe duhet të ndodhë kështu, pasi janë rradhë për ta, për punën e tyre, për përpjekjet e tyre, për gjithçka të mirë që dhanë.

Janë 13-të mësueset e shkollës “Dalip Tabaku”. Janë të 13-ta, që i kanë dhënë zë arsimit në Durrës dhe tash e më tej historisë, por edhe identitetit tonë.

Ska më mirë dhe ska më bukur!

Bujar Qesja
Durrës: 16 maj 2024

Në foto, në këmbë nga e majta: Silva Themeli (nuk jeton), Erjeta Pocoli (nuk jeton), Nafije Milaqi (nuk jeton), Elsa Karamuço, Sanije Lukaçi (nuk jeton).

Ulur nga e majta: Liri Elezi, Vilhelmina Prifti (nuk jeton), Frosina Llalla, Bena Stepa, Hatixhe Strazimiri, Xhyhere Këlliçi (nuk jeton), Bukurije Libohova (nuk jeton) dhe Mynevere Kullolli.
Foto e fund viteve 70-të.