Dhuna në familje mbetet një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë tonë dhe shpesh ajo zë vendin kryesor në komunikatat ditore të policisë.

Ndërgjegjësimi i të gjithë faktorëve të shoqërisë merr një rëndësi primare, sidomos puna me brezin e ri. Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu takimi i organizuar me gjimnazistë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” e jo vetëm me një panel specialistësh të Zyrës Arsimore Vendore, Policimit në Komunitet, avokatë e psikologë.

Nisur nga eksperienca e gjatë në terren dhe denoncimet në komisariat, inspektori i policisë Arben Hushi apeloi për një përdorim të mirëkontrolluar të rrjeteve sociale, që shpesh i ekspozojnë të rinjtë ndaj fenomeneve të dhunës.

“Pa u menduar fare se kush është ky person që ju ka shkruar, thjesht duke i parë foton ju pranoni ftesën e tij në rrjete sociale, hyni në komunikim me të dhe këtu mund të nisë gabimi juaj. Më pas vazhdon shantazhimi. Dhe arrijmë deri në ngjarje që nuk duhet të ndodhin!”,- tha inspektori Hushi.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe avokatja Rezarta Agolli, e cila vuri theksin në një lloj të veçantë dhune, që ka marrë përhapje të gjerë vitet e fundit. Gjithnjë e më shpesh, të rinjtë po bëhen viktima të dhunës nga partnerët apo ish-partnerët, që i shantazhojnë përmes fotove e videove intime.

“Dhuna është në disa disa forma. Ajo është psikologjike, fizike, ekonomike, seksuale. Por ajo çfarë ne po shohim kohët e fundit është edhe pornografia, formë që po shfaqet sidomos mes të rinjve. Në momentet kur partneri me të cilin jeni në lidhje intime mund t’ju dhunojë, ju mund t’i drejtoheni menjëherë policisë”,- u tha Agolli nxënësve.

Kryefaqja e të gjithë penalistëve ishte apeli drejtuar të rinjve për të denoncuar rastet e dhunës pranë organeve kompetente.

Për të parandaluar raste tragjike si ai i dy ditëve më parë në Klos, ku humbën jetën 3 persona, specialistja e ZVA Durrës, Genciana Çako u ndal tek rëndësia që ka koordinimi i punës së të gjitha hallkave në shkolla si staf pedagogjik, psikologë, punonjësi i policisë etj.

Shumë nga nxënësit e pranishëm prej gati dy vitesh janë bërë pjesë vullnetarisht në fushata sensibilizimi ndaj dhunës, siç ishte nisma “Këpucët e kuqe”, e regjisores së njohur Driada Dervishi, që startoi në Durrës më 8 mars 2021, për të marrë një shtrirje shumë më të gjerë 8 marsin e këtij viti.

Për të gjithë nxënësit që kontribuan për lyerjen e qindra këpucëve të kuqe që mbuluan sheshin kryesor të Durrësit, shoqata Bash-Art shpërndau 10 çertifikata.

Ndërkohë, në një hapësirë të veçantë të shkollës artistike ishte vendosur instalacioni i krijuar nga artistja Florina Shani.

Mes këpucëve të kuqe, që simbolizojnë gjakun e viktimave të dhunës dhe baltës që shpesh hidhet mbi to, artistja kishte menduar t’u përcillte të rinjve mesazhin se shpesh mjafton vetëm pak për të marrë një jetë, prandaj askush nuk duhet të rrijë indiferent ndaj dhunës.

Nxënësit aktivistë që morën çertifikata:

1.Gejli Lila

2.Ledja Bullizi

3.Sara Caca

4.Klint Dinollari

5.Tea Jahja

6.Ermir Vrami

7.Shuaip Toska

8.Pamela Glloga

9.Erjon Kamberi

10. Eni Hoxha

M.B.