-Një foto që ngacmon dhe më bën të jem brenda saj
Kemi patur burra, kemi patur zotërinj dhe kjo na nderon
-Puntoria dhe mjeshtrat durrsakë nga më të mirët
NGA BUJAR QESJA
Lapsi im vërtitet si sferë, ku fuqia magnetizuese e faktit, e thith dhe e dorëzon në fuqinë e tij. Flasim për Durrësin dhe durrsakët, betohemi dhe përbetohemi për to. Por na takon misioni që t’i kujtojmë, t’i nderojmë, t’i respektojmë dhe t’u jemi mirnjohës. Një brezi që ka ikur, mbahet gjallë nga puna dhe përpjekjet tona si brez pasardhës, si detyrim pse jo edhe si amanet. Vetëm kështu mund të ruajmë historinë tonë, që fatmirsisht është e pasur dhe e krijuar nga burra dhe zotërinj të mënçur, të ditur dhe shumë punëtorë.
U detyrova ta bëj këtë rezume të fillimit, nisur nga një foto që më ra në dorë. Është e dobët si cilësi paraqitjeje. Është në teknikë modeste fiksimi. Por atëherë pse e çfaqim, apo pse e bëjmë të njohur për opinionin? Pasi foto ka shumë cilësi, në njerëzit që janë vendosur aty, në emrat e mëdhenj që përfaqësojnë dhe në punët e mëdha që kanë kryer.
Fati i të tërëve këtu, tashmë dihet. Jam i sigurtë që Hysni Çyrbja, Halit Nova, Ismet Xhura, Ymer Balla, Telha Shaba, Ymer Karaboja, Spiro Puteci, Atik Balla, Muhamet Tula, Tasim Balla nuk jetojnë. Por ajo që na vlen dhe mbetet në përmasat e rëndësisë, është emri që kanë krijuar dhe punët me ustallëk që kanë kryer.
Shpreh siguri, koha kur është bërë kjo foto është e vitit 1971. Të nëntë këto durrsakë të hershëm, janë pjesë e kolektivit të kantjerit detar. Ndërmarrje specifike kjo e Durrësit, kockë e detarisë durrsake, me shumë nam, me shumë autoritet, me shumë sy, me shumë……. E do të vazhdonim gjatë kështu.
Burra të pashëm, me fizik të fortë, por shumë miqësor njëri me tjetrin. Nga puna e tyre, korrektesa, dëshira për të bashkpunuar dhe mirkuptuar, aftësia dhe mjeshtria e zanatit, i bënë ata dhe kantjerin detar që përfaqëesonin, qendër e punëtorisë durrsake.
Ky kantjer ka parë shumë, por më shumë duhet të shohim ne për forcën, aftësinë dhe punën e tyre, e cila vlen të kujtohet kësisoj e mos të harrohet. Prandaj edhe ne frymojmë dhe jemi ende të gjallë, për ta thënë me të madhe këtë, e për ta shkruajtur që të mbetet edhe për pas nesh.
Po ju njoh me emrat. Ymer Balla, Spiro Puteci, Telha Shaba, Muhamet Tula, Ismet Xhura, Atik Balla, Halit Nova, Ymer Karaboja Hysni Çyrbja dhe Tasim Balla. I mora siç janë, nga e majta në të djathtë. Të gjithë ustallarë. Por drejtor në atë kohë ka qenë, zotnia i rrallë i Durrësit, fisnik mbi fisnikët, eurditi, ekonomisti, piktori, njeriu me shumë kulturë dhe shumë aktiv Hysni Çyrbja.
Sa bukur çfaqen të nëntë këto mjeshtra, secili në profesionin e tij! Mekanikë, saldatorë, axhustatorë, tornitorë, marangozë, kallafatorë të nivelit konkurues. Këtu janë nëntë, por po të përmëndësh edhe me dhjetra e dhjetra të tjerë, që kanë qenë pjesë e Kantjerit Detar bëhen aq shumë, sa vetë historia e pasur dhe e papërsëritshme e kantjerit tonë detar.
Kujtoj inxhinjerin fantastik Petrit Çela dhe në vijim Gani Ismailati, Orest Nushi, Hysni Peku, Fatmir Dragu, Tofik Fishta, Vasil Tefa, drejtuesit Hysni Çyrbja, Agron Fishta, Astrit Duçi, Nasho Huta, veprimtarët e rrallë Naun Llazo, Asti Popa, Isa Aga e plot të tjerë.
Ah Kantjeri Detar i Durrësit! Historia dhe realiteti tërheqës i punëtorisë durrsake, të asaj punëtorie që na la faqebardhësinë, krenarinë dhe autoritetin e një pune të paharrueshme dhe kurdoherë nderuese.
Kjo është arsyeja, që kjo foto e kufizuar në cilësi, është shumë e bukur, shumë e rrallë dhe me shumë kuptim nga njerëzit të cilët e përbëjnë atë. Të vazhdojmë kështu në çdo rast të mundshëm. Është punuar shumë. Lodhje dhe mundim shumë. Janë bërë gjëra të rralla dhe fatkeqësisht të mosruajtuara.
Dhe ne të tjerët, si në këtë rast lapsi im, jemi të detyruar t’ua heqim gjithnjë pluhurin e harresës, pasi e meritojnë të vendosen në krenarinë tonë të punës.
Të dhjetë nga Kantjeri Detar i Durrësit. Sa të tjerë kemi kështu? Pak nga pak e përditë t’i kujtojmë, nderojmë dhe respektojmë dhe jo përditë dhe asgjë.
Lapsi im. Nuk do të pushoj.
Bujar Qesja
Durrës: 14 janar 2025
Në pamje, nga e majta: Ymer Balla, Spiro Puteci, Telha Shaba, Muhamet Tula, Ismet Xhura, Atik Balla, Halit Nova, Ymer Karaboja Hysni Çyrbja dhe Tasim Balla.

Foto realizuar me 15 shkurt 1971, 56-të vite më parë.
Shënim: Kjo foto sipas Esat Ballës (djali i Atik Ballës), është bërë në aeroportin e Rinasit. Po përcillet në Rumani për t’u operuar, mjeshtri i çquar i mekanikës, ndër novatorët më të mirë në Shqipëri Atik Balla, i cili fatkeqësisht ndahet nga jeta me 18 dhjetor 1971, në moshën 39 vjeçare.