Momente paniku mbizotëruan në një hotel në Uashington, në një incident me të shtëna me armë zjarri me një të vdekur dhe katër të tjerë të plagosur.

Pesë personat që u plagosën nga plumbat u dërguan në spital pas një shkëmbimi me armë zjarri që ndodhi brenda ndërtesës, herët në mëngjes, tha policia në Twitter.

“Një grua që ishte në gjendje kritike vdiq në spital” tha policia e Uashingtonit, e cila rrethoi zonën për disa orë dhe nisi një hetim.

Policia u njoftua rreth orës 03.30 të mëngjesit me orën lokale kur u dëgjuan të shtëna gjatë një feste në një dhomë hoteli, në një lagje të pasur të Uashingtonit, ku janë vendosur shumë ambasada.

“Tashmë kemi marrë ankesa nga fqinjët për këtë hotel. Ne kemi marrë ankesa për aktivitete të lidhura me drogën” tha Duncan Bendlion, një oficer policie që foli për një rrjet televiziv lokal.

Asnjë i dyshuar nuk është identifikuar për momentin.