Prej 6 muajsh, të verbërit e qytetit të Durrësit nuk marrin kompensimin e energjisë elektrike, që varion në vlerën 20 mijë lekë të vjetra grupi I dhe 14 mijë lekë grupi II.

Fakti bëhet i ditur nga kreu i shoqatës “Shpresë për të verbërit”, Saimir Farrici, i cili deklaron se ndryshe nga sa veprohet me të verbërit që banojnë në njësitë administrative (ish-komunat) , të cilët e kanë marrë rregullisht këtë kompensim, kjo gjë nuk po ndodh me rreth 200 të verbër në qytet.

Sipas Farricit, pavarësisht kërkesave dhe ankesave drejtuar bashkisë Durrës, por edhe drejtorisë së Shërbimit Social, shqetësimi i ngritur prej tyre nuk ka marrë zgjidhje.

“Të verbërit e paguajnë energjinë duke hequr nga shpenzimet e ushqimit, sepse në të kundërt u ndërpritet energjia, apo e paguajnë me kamatë vonesë. Me rritjen e çmimeve, barra e jetesës për të verbërit është akoma më e rëndë”,– tha Farrici.

“DurrësLajm” u interesua pranë Drejtorisë së Shërbimit Social për këtë problem, por në përgjigjen e saj drejtoresha Meme Xhaferraj deklaroi se “të gjithë personat e verbër që kanë plotësuar dokumentat për përfitimin e kompensimit të energjisë e kanë marrë këtë pagesë. Nuk ka persona që të mos e kenë marrë kompensimin e energjisë”.

M.B.