Anëtarët e shoqatës “Shpresë për të verbërit” kanë protestuar sot me pankarta në duar para bashkisë Durrës për mos marrjen e kompensimit të energjisë elektrike prej 7 muajsh.

Që nga janari i këtij viti ata nuk e kanë përfituar këtë pagesë, që kap vlerën 14 mijë lekë të vjetra për të verbërit e grupit II dhe 20 mijë lekë për ata të grupit I.

Sipas kreut të shoqatës, Saimir Farrici, pavarësisht kërkesave të shpeshta për t’u takuar me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako, takimi nuk është realizuar dhe të verbërit nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete se kur do të marrë zgjidhje problematika e tyre.

“Bashkia e Durrësit na konsideron ne si qytetarë të dorës së tretë apo sikur nuk ekzistojmë fare. Nuk merr mundimin as për na pritur, jo më për të na zgjidhur hallin. Nuk është ulur asnjëherë për të qarë hallet tona e për të parë fushat se ku mund të na zgjidhin problemin. Ne e ndjejmë veten tepër të diskriminuar nga bashkia Durrës.”– tha Farrici.

Ndërkohë një tjetër anëtar i shoqatës deklaroi se ata do të vijojnë me protestat derisa të marrë zgjidhje problemi i tyre, ndërsa kërcënoi me përshkallëzim të tyre deri në grevë urie.

M.B.