Teuta ka marrë zyrtarisht pushimet pas ndeshjes së fundit ndaj Egnatias në kampionat. Kjo, sa i përket lojtarëve, sepse për drejtuesit nuk është aspak një periudhë pushimesh. Thuhet kështu, sepse këta të fundit po ngrenë piketat e fundit sa i përket merkatos që do të bëjnë dhe lojtarët që do të afrojnë. Fillimisht, para se të flitet për lojtarët që do të afrohen, në klub ka nisur largimet. Jo të gjithë lojtarët kanë bindur dhe Mingos tashmë është zyrtarisht i larguar.
Skuadra e Teutës mbylli një sezon mes shumë oshilacioneve. “Djemtë e detit”, nën drejtimin e trajnerit Bledar Hodo arritën të renditeshin në vendin e gjashtë, ku vetëm në javën e 35-të, arritën të matematikisht qëndrimin në Superiore. Në kampin “durrsak” pritet të zbarkojnë disa futbollistë, prej të cilëve tekniku do të zgjedhë elementët më premtues. Drejtuesit dhe teknikët respektivë në bashkëpunim me njëritjetrin do të ndërtojnë skuadrën për sezonin 2025-2026. Në kampin durrsak flitet se sezonin e ardhshëm do të ndërtohet një skuadër me perspektivë dhe konkurruese. Pritet që disa prej lojtarëve aktualë të skuadrës durrsake do të diskutojnë me klubin nëse do të jenë pjesë e saj dhe në sezonin e ardhshëm.
Te skuadra e Teutës priten jo shumë ndryshime, sa i përket kontingjentit të lojtarëve. Disa lojtarëve u ka përfunduar kontrata që i mbante lidhur me skuadrën e Teutës dhe presin të diskutojnë me presidentin për të mësuar të ardhmen e tyre, e cila mund të jetë te Teuta, por edhe larg saj. Burime nga skuadra durrsake theksojnë se do të ketë disa lojtarë, të cilët për sezonin e ardhshëm nuk do të jenë pjesë e skuadrës së Teutës, por baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në repartet respektive: mbrojtje, mesfushë dhe sulm.