Prej disa ditësh, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës ka hapur tenderin për shpalljen e kompanisë fituese që do të ndërtojë godinën e QSH nr.1, e cila u shemb në korrik të vitit 2020, pasi kishte marrë dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Po ndërsa autoritetet shëndetësore kanë hapur procedurat e tenderit, familja Shehu, të cilës i përket pjesa më e madhe e truallit ku ka qenë ndërtuar godina 3 katëshe, kërkojnë ndërprerjen e tij përsa kohë anëtarët e familjes nuk janë dëmshpërblyer për pronën e tyre, e cila iu konfiskua në vitin 1945 dhe iu rikthye me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave në fillim të viteve 90.
Njëri prej anëtarëve të familjes, Alvin Shehu, shprehet për mikrofonin e “DurrësLajm” se ndër vite ata kanë kërkuar dëmshpërblimin për pronën e tyre, ndërkohë që çështjen janë duke e ndjekur edhe në rrugë ligjore në Gjykatën e Lartë.
“Ndër vite kemi fituar të drejtën e parablerjes, nëse objekti do të dilte në ankand. Ne i kërkojmë shtetit që të zbatojë vetë i pari ligjet e këtij vendi dhe më pas t’i zbatojmë edhe ne. Autoritetet kanë nisur një tenderim pa certifikatë pronësie, prandaj ne kërkojmë përgjigje”,- tha Alvin Shehu.
Ai deklaron se familja e tij do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore, deri në marrjen e dëmshpërblimit apo dhënien e të drejtës së parablerjes së pronës, opsion që ia njeh edhe ligji. Gjatë këtyre dy viteve të fundit, familja ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë duke i ofruar edhe alternativa.
“Përsa kohë objekti ka qenë i ndërtuar, trualli nuk na kthehej dhe kjo ka qenë pengesa e vetme. Godina nuk është më, prandaj ne kërkojmë të na kthehet e drejta jonë si pronarë, ose të na jepet dëmshpërblimi”,- deklaroi Shehu.
Investimi për ndërtimin e godinës së re së QSH nr.1 Durrës kap vlerën rreth 72,5 milionë lekë të reja, ndërsa punimet pritet të zgjasin 224 ditë pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë fituese të tenderit. Kompanitë e interesuara kanë afat deri më datë 16 mars të paraqesin ofertat e tyre.
Në godinën e re do të sistemohet stafi i QSH nr.1, NJVKSH-së dhe Klinikës Stomatologjike Durrës.
M.B.