Alexander Zverev në telashe serioze. ATP ka nisur një hetim të brendshëm mbi akuzat e ngritura kundër tenistit gjerman nga ish-e dashura e tij, Olga Sharypova, për disa episode në të cilat ajo dyshohet se ishte viktimë e dhunës verbale dhe kërcënimeve, veçanërisht për atë që ndodhi gjatë Shanghai Masters 1000, në vitin 2019. Numri 4 në botë i ka mohuar gjithmonë akuzat për dhunë në familje dhe e ka paditur vajzën.“ATP dënon plotësisht çdo formë dhune ose abuzimi dhe do t’i hetojë pretendimet e tilla që lidhen me sjelljen e një anëtari në një turne të ATP”, shkruhet në deklaratën e Federatës Botërore të Tenisit.

Massimo Calvelli, drejtor ekzekutiv i ATP, theksoi se “akuzat e ngritura kundër Alexander Zverev janë serioze dhe ne kemi përgjegjësi t’i hetojmë ato. Shpresojmë që hetimi ynë do të na mundësojë vërtetimin e fakteve dhe të përcaktojmë veprimet e mëvonshme. Ne e dimë që Zverev e mirëpriti hetimin tonë dhe mohoi të gjitha akuzat. Ne gjithashtu do të monitorojmë çdo zhvillim të mëtejshëm ligjor pas hetimit paraprak nga sistemi gjerman i drejtësisë”.