Finalizohet nga shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës dhe të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Border”, arrestohet një 57-vjeçar i cili tentoi të transportonte një emigrant nga Egjipti, me qëllim kalimin e paligjshmëm të kufirit.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme dhe Narkotikët të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Port Durrës, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të kundërligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit shtetëror, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Border”, si rezultat i të cilit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë në portin e Durrësit, i shtetasit:

-V. P., 57 vjeç, banues në Milot, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në kabinën e kamionit që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë panë të fshehur shtetasin I. S., 33 vjeç, banues në Egjipt, i cili u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Nga veprimet hetimore rezultoi se 57-vjeçari po transportonte shtetasin I. S., kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin në mënyrë të kundërligjshme, me destinacion final një nga vendet e BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.