Dërrasa të hequra dhe të prishura, stola jo funksionalë, gjithfarëlloj njoftimesh dhe qesesh që varen përgjatë gjithë gjatësinë së tij.

Nuk mungojnë edhe bananet, të ngrëna dhe të pangrëna, që “zbukurojnë” rrethimin…

Kjo është pamja që ofron terminali i pasagjerëve të linjave interurbane në Durrës.

I shndërruar më tepër në një hapësirë për publikimin e njoftimeve të ndryshme për punë apo okazioneve për shitblerje pasurish të paluajtshme, po ku nuk mungojnë edhe lajmërimet e vdekjeve, hapësira e terminalit lë shumë për të dëshiruar.

Dërrasat e dëmtuara prej kohësh nuk janë zëvendësuar, ndërsa streha që e mbron nga dielli është dëmtuar dhe nuk ofron për qytetarët as mbrojtjen më minimale nga dielli i nxehtë i korrikut, ndërsa presin urbanin për të shkuar në destinacionin e tyre.

Ndërsa në vend të stolave, qytetarët përdorin ndonjë gjysëm dërrasë që ka mbijetuar pa u shkulur.

As mbishkrimi Durrës nuk i ka shpëtuar keqbërësve. Disa nga shkronjat janë të mbushura plot zhgarravina, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse e bëjnë edhe më të trishtë imazhin që përcjell kjo hapësirë publike.  

Riparimi i dëmtimeve të shkaktuara nga kushtet atmoferike dhe jo vetëm nuk kërkon ndonjë investim të madh. Mjafton pak vullnet i mirë për t’i ofruar qytetarëve një terminal brenda standarteve minimale të shërbimit.

M.B.