Në stadiumin “Niko Dovana” u bënë protagonistë edhe trajnerët Devolli e Daja me batutat e tyre gjatë ndeshjes. Edhe pak ironi në ndonjë rast. Ja disa nga momentet më interesante.

-Të pranishëm në stadiumin “Niko Dovana” dje nuk ishin më shumë se 600 tifozë.

-Vasil Zogos, në ndeshjen e parë si titullar me Teutën, dëmtohet vetëm pas 6 minutash dhe lë fushën duke çaluar. Ai kishte vështirësi për të ecur dhe shoqërohej nga stafi mjekësor.

-Të dy trajnerët kanë qëndruar gjithë kohën në këmbë, por sidomos Devolli ka qenë më impulsiv dhe ka reaguar ndaj veprimeve të lojtarëve të tij.

-Në momentin kur arbitrat po hynin në tunel pas përfundimit të pjesës së parë, trajneri Daja proteston tek arbitrat: “Çfarë bën, mo, ej, se s’jemi në 2005-ën, viti 2025 dhe ju vijoni kështu”, u tha ai.

-“O Ferataj, është dorë ajo”, dëgjohet Jazxhi, ndërsa trajneri Daja nga stoli bërtet: “Jepja bilbilin fare atij më mirë”.

-Pas një rasti të humbur nga Beshiraj në mesin e pjesës së dytë, trajneri Devolli dhe i gjithë stoli mbeten të ngrirë, pasi prisnin që ai të shënonte.

-“O Tom, po shkoi, more djalë atij, mos qëndro aty, por bëji presion kur merr topin”, dëgjohet Devolli nga stoli, teksa këshillon sulmuesin të jetë më aktiv.