Teuta, pas asaj humbje të papritur në Ballsh do të kërkojë të rikthehet sërish te suksesi. Teuta dhe Elbasani do të duelojnë mes tyre për llogaritë e javës së 28-të të Superiores ditën e martë. Kjo sfidë do të luhet në “Niko Dovana” duke nisur që nga ora 16:30.
“Djemtë e detit” kërkojnë të lëmë pas atë humbje në Ballsh. Blutë kanë nisur përgatitjet. Dilemat e trajnerit Hodo nuk mungojnë sa i përket formacionit. Teknikut i duhet të vendosë më të mirët në fushë, në një moment kur Lloci dhe Zhongo mbeten të dëmtuar dhe ende nuk dihet nëse do të jenë gati.
Nga ana tjetër, Kruja me shumë mundësi do të jetë gati. Megjithatë, dilemat më të mëdha për teknikun vijnë nga faza difensive, pasi mbrojta është duku futur ujë sa u përket alternativave. Pritshmëritë janë me Kotobellin dhe Jazxhiun si qendërmbrojtës dhe Boçin e Krujën nga krahët. Gjithsesi, janë seancat e fundit stërvitore ato që do të shuajnë dilemat e fundit për formacionin anti-Elbasani për Teutën, që vjen në këtë sfidë e motivuar dhe gati. Në Durrës duan që kjo sfidë të jetë kthesa e madhe, ndaj kërkojnë të luajnë një ndeshje perfekte të martën.
Stërvitja e e zhvilluar në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, për dyshen Hodo-Dodaj kishte të bënte më së shumti me rigjetjen e ritmit, të metave dhe dobësive të treguara në seancat e mëparshme. Pasdite me ndarjen e lojtarëve në grupe dhe formacioneve të përziera, Hodo u kërkoi të tijve përqendrim dhe përpikmëri në zbatimin e detyrave tekniko-taktike.
Ritmi i stërvitjeve është i lartë, pasi skuadra punoi me një seancë të kombinuar për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike. Si fillim, skuadra zhvilloi vetëm dy vrapime rreth fushës e më pas disa ushtrime atletike dhe streçing. Vetëm pak xhonglime, mbajtje e topit në ajër dhe më pas Hodo filloi të punonte me vendosjen e lojtarëve në fushë.
Ai dukej i fiksuar pas skemës, pasi nuk ndalej së foluri dhe së udhëzuari pothuajse gjysmën e ekipit. Trajneri i ndau lojtarët në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë njëkohësisht me ndalime të shumta dhe udhëzime. Më shumë mund të quhej një mësimore kjo ndeshje e jo vlerësim i gjendjes së lojtarëve. Pas përfundimit po zhvillonin goditje nga larg për në portat e vogla, kurse në grupin e tretë Kotobelli dhe Maçolli u shfaqën si ekzekutues të goditjeve nga këndi për t’u shërbyer sulmuesve të ekipit.