Në fundjavë, Teuta do të udhëtojë në Rrogozhinë për t’u përballur me Egnatian për llogaritë e javës së 27-të të kampionatit, duel që blutë do të tentojnë ta vijojnë me të njëjtin ritëm, siç e lanë me Tiranën. Kjo sfidë do të zhvillohet ditën e diel në “Egnatia Arena”.
Për herë të parë në kampionat, rrogozhinasit do të luajnë me prozhektorë, teksa kjo sfidë do të startojë në orën 17:00. Ekipi i drejtuar nga Bledar Hodo shpreson të marrë maksimumin, pasi misioni i tij janë vetëm 3 pikët. Siç dihet, në 18 takime të zhvilluara mes tyre, që nga ngjitja e Egnatias në Superiore, rrogozhinasit kanë arritur të fitojnë vetëm në një rast.
Ndërkohë 12 fitore janë marrë nga “Djemtë e Detit” dhe 5 takime mes tyre kanë përfunduar në barazim. Statistikat janë kundër Egnatias, me Teutën që synon të dielën të vijojë këtë ecuri. Që prej startit të këtij sezoni, Teuta po kalon një moment delikat në ecurinë e vet.
Në këtë përballje, faktet flasin për Teutën, por gjithçka i mbetet fushës. Në 10 vitet e fundit, asnjëherë më parë nuk e kishim parë Teutën, që të ishte në pozita të tilla, ku po afron fillimi i fazës së katërt, edhe pse deri në fund ka shumë javë dhe vështirë se do të “lundrojë” dhe për shumë gjatë në të tilla “ujëra”.
Teuta vijoi përgatitjet intensive nën drejtimin e trajnerit Bledar Hodo. Në prag të rrogozhinasve, tekniku dhe stafi teknik kanë zhvilluar dje një seancë tekniko-taktike. Në takimin e së dielës ekipi do të jetë pothuajse i plotë, duke i dhënë mundësinë Hodos të përzgjedhë formacionin më të mirë. Në këtë pikë nuk mund të tolerohet një tjetër hap fals, kështu që tri pikët janë objektivi i vetëm.
E megjithatë, para se të niste stërvitja për llogari të javës së 27-të, fillimisht trajneri Hodo ka zhvilluar një analizë të shkurtër me të gjithë ekipin. Tekniku është munduar që të mobilizojë grupin dhe hapur ka kërkuar përqendrim për sfidën e radhës.
Misioni mbetet i qartë, pikët. Dhe kur kampionati ka hyrë në një fazë delikate, tashmë gabimet janë thuajse të ndaluara. Rivalët janë shumë pranë dhe një hap fals tjetër i durrsakëve do të rrezikonte pozitat në renditje. Dhe këtë “djemtë e detit” e kanë shumë se qartë. Gjatë gjithë kohës është përsëritur se për Teutën, e rëndësishme është të mbledhë pikët për të qenë sipër në renditje dhe më pas të mendojmë për “relaks”. Hodo pret me ngulm që skuadra të vijojë me rezultatet e mira. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që të vijojnë aty ku e lanë me Tiranën, tri pikët…