Teuta pësoi një humbje që dhemb kundër Dinamos në kryeqytet, por nuk është momenti për dekurajim në kampin durrsak. Nga ajo ndeshje duhen nxjerrë mësimet e duhura për të mos bërë të njëjta gabime në vazhdim të kampionatit.

“Djemtë e Detit” nuk duhej ta mbyllnin me atë rezultat ndeshjen e së mërkurës, pasi patën një penallti në favor, madje e gjuajtën dy herë. Po ashtu, durrsakët shpërdoruan edhe mundësi të tjera shënimi dhe në fund u ndëshkuam nga kundërshtari.

Në Durrës e ndiejnë akoma dhimbjen e asaj humbjeje, një ditë pas ndeshjes zhgënjimi ishte i madh në skuadër, por gjithsesi tani të gjithë do të mundohen të mbledhin forcat për të luftuar deri në fund.

Nga analiza e bërë është evidentuar fakti se duhej më shumë vëmendje në rastin që Dinamo shënoi dhe po ashtu duhej më shumë kthjelltësi në rastet e krijuara. Tani e gjithë vëmendja ka kaluar te përgatitjet për ndeshjen e radhës me Laçin.

Skuadra dje u stërvit e ndarë në dy grupe. Lojtarët e aktivizuar titullarë kundër Dinamos zhvilluan një seancë rikuperimi, kurse pjesa tjetër bëri përgatitje intensive. Durrsakët shkojnë me një skuadër të plotë në ndeshjen me Laçin. Rikthehet edhe Ergis Arifi, i cili shleu pezullimin për shkak të kartonëve.