Teuta ka mbyllur fazën përgatitore në qytetin e Korçës dhe pas 48 orëve pushim absolut, skuadra u rikthye në stërvitje në Durrës, aty ku do të vijojë programin në prag të ndeshjes së parë të kampionatit kundër Laçit.Deri më 20 gusht trajneri Renato Arapi ka kohën e duhur për të fiksuar formacionin, edhe pse indiciet i ka dhënë në tri miqësoret e zhvilluara në qytetin juglindor.Pas largimeve të shumta nga skuadra e sezonit të kaluar, deri më tani pjesë e Teutës janë bërë lojtarë të rinj si Uheid Hoxha, Aldrit Oshafi, Alban Çejku, Patrik Treni, David Gjinollari dhe Klevis Bebeziqi.

I vetmi që klubi ka konfirmuar zyrtarisht është shkodrani Hoxha, por e njëjta gjë pritet të ndodhë në vijim edhe me lojtarët e tjerë. Nga provat që ka bërë Arapi gjatë miqësoreve, është vënë re se vetëm dy prej afrimeve janë projektuar si titullar.Pikërisht mesfushori shkatërrues, Çejku, i cili vjen nga Tirana, si dhe sulmuesi i rikthyer nga huazimi, Oshafi, që bëri një sezon mjaft të mirë me Tomorin në Kategorinë e Parë. Kandidatë potencialë për formacionin është edhe Hoxha në mesfushë.Arapi ka provuar një skemë 4-4-2 së fundmi, me dy sulmues të deklaruar. Me golashënuesin Rubin Hebaj të konfirmuar, “partneri” i shkodranit në ofensivë pritet të jetë Oshafi, por me Grudën të gatshëm në çdo moment, i cili e ka justifikuar besimin e stafit sa herë është aktivizuar.

Gjithsesi, për momentin stafi po bazohet te pjesa dërrmuese e lojtarëve që mbyllën sezonin, duke ndërthurur eksperiencën me të rinjtë.Në portë rikonfirmohet Pano Qirko, ndërsa në mbrojtje katërshja me eksperiencë Idrizaj, Qaqi, Jazxhi dhe Kotobelli. Në mesfushën me katër, para mbrojtjes do të rreshtohen Ledio Beqja dhe Çejku, ndërsa nga krahët Emiliano Vila dhe Lorenco Vila. Një Teutë sulmuese, që sigurisht do të shihet në kampionat, ku prova e parë në transfertë e Laçit është një barometër i vërtetë. Në klubin durrsak besojnë se strategjia me të rinj do të japë fryte.