Klubi i Teutës ka bërë një lëvizje të papritur sot, teksa ka zyrtarizuar një afrim jo në radhët e ekipit, por të stafit që punon për ndërtimin e skuadrës. Klubit bregdetar i është bashkuar Mino Manoku, i cili ka qenë shefi i skautimit në klubin e Elbasanit.

Manoku në këto vite ka qenë një nga emrat kryesorë që ka punuar për afrimin e futbollistëve të rinj sidomos nga Afrika, me rezultate që kanë ndihmuar verdheblutë të bëjnë një hap të rëndësishëm cilësor.

“KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Mino Manokut në detyrën e Drejtorit të Skautizmit. Me përvojën dhe njohuritë e tij në fushën e identifikimit dhe zhvillimit të talenteve, Mino do të jetë një pjesë e rëndësishme e projektit sportiv të klubit, duke kontribuar në forcimin e strukturës dhe vizionit afatgjatë të Teutës”, shkruhej në njoftimin e Teutës, e cila duket se do të ndryshojë shumë gjëra në këtë vit me emërimin e Tetovës në rolin e trajnerit.