Skuadra e Teutës ka zhvilluar një ndeshje miqësore ku objektivi për trajnerin Renato Arapi, ishte të shihte gjendjen e lojtarëve të rinj apo atyre që janë alternativa në stolin e skuadrës së tij. Bregdetarët u përballën me Tërbunin në një sfidë të zhvilluar në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, duke fituar me shifrat 2-0.

Në një formacion eksperimental të përbërë nga Dema, Kurti, K.Hoxha, Elezi, Gjinollari, Gecaj, U.Hoxha, Treni, Halilaj, Bebezhiqi dhe Kapllani, durrsakët kanë dominuar gjithsesi me lojën e tyre dhe kanë shënuar në minutat 30 dhe 34, përkatësisht me Kapllanin dhe Halilajn.Rezultati nuk ndryshoi deri në fund ndërsa Arapi kishte mundësi të shihte në veprim edhe emra të tjerë si Tepshi, Muka, Boci e Miftiu në këtë sfidë.

Kjo miqësore ishte pjesë e strategjisë që ka zgjedhur klubi durrsak, për t’i besuar gjithnjë e më shumë elementëve të rinj dhe akademisë, duke hequr dorë nga shpenzimet e sezoneve të kaluara.