Teuta e transferoi në momentet e fundit të merkatos së janarit, ndërsa Vasili Zogos debutoi në mënyrën më të keqe te durrsakët. Mbrojtësi i cili vinte pas një eksperience në Slloveni, doli i dëmtuar në minutën e dytë të takimit kundër Dinamos.
Lojtari do të kryejë një rezonancë për të kuptuar më shumë rreth shkallës së dëmtimit, por është e sigurtë që kundër Laçit do të mungojë. Mbrojtësi i qendrës ka ndjerë një shqetësim në gju dhe sot do të mësojë edhe kohën e rikuperimit. Shpresohet që Zogos të mos ketë dëmtuar ligamentet e gjurit, megjithatë gjithçka do të zbardhet pas rezonancës.
Sa i përket mungesave, Teuta do të bëjë edhe pa kapitenin Blerim Kotobelli i cili ka plotësuar numrin e katërt kartonëve të verdhë, ndërsa formacioni që do të zbresë të dielën në fushë do të qartësohet në stërvitjen e ditës së shtunë. Sa i përket qendrës së mbrojtjes, një alternativë është që trajneri Devolli mund të provojë të riun Sandër Kalaj.
Skuadra vijon përgatitjet për sfidën me Laçin e cila është ndaj një rivali direkt dhe shumë e rëndësishme për renditjen. Stafi teknik ka shpjeguar edhe programin, ekipi ka vijuar normalisht me një seancë të plotë stërvitore, ku fillimisht kanë zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatësit atletik dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top.
Më pas u vijua me aspektin tekniko-taktik dhe mbi të gjitha me ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe mbrojtëse të cilat kanë qenë në fokusin e trajnerit. Por, ajo që ra në sy ishte se repartet punuan të veçuara. Devolli kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë. Ndeshja me Laçin do të luhet ditën e diel në qytetin e këtyre të fundit, duke nisur nga ora 13:30.