Gjatë kësaj periudhe, tek Teuta janë kujdesur maksimalisht për “revolucionin”, menjëherë pasi i “vunë kapakun” qëndrimit në elitë me përfundimin e ndeshjes së play-out në “Abissnet Superiore”.

Duke filluar me pankinën, stafin teknik si dhe ndryshimet e shumta në organikë, me afrime dhe largime, ekipi durrsak është transformuar totalisht dhe ndodhet në BUllgari për fazën përgatitore, më konkretisht në Bansko, i njëjti destinacion i përzgjedhur edhe nga Egnatia.

Në njoftimin e bërë së fundmi në rrjetet sociale, klubi i Teutës tregon se do të zhvillojë 4 miqësore. Përballja e parë është përcaktuar më 10 korrik përballë Ludogorets, ndërsa një ditë më vonë ajo me Lokomotiv Sofia.

Dy testet e fundit do të jenë përballë Hapoel Haifas më 15 korrik dhe me 16 ndaj CSM Slatinas.

Në këtë mënyrë, trajneri Edlir Tetova do të ketë mundësinë të njihet më nga afër me kontigjentin e tij, përpara se të nisë edhe kapitullin e ri me Teutën në sezonin e ri 2026/27 në Superiore.