Te skuadra e Teutës duhet thënë se akoma vazhdon që situata të duket shumë komplekse. Që nga momenti që skuadra mbylli sezonin më 29 maj, gjatë kësaj periudhe të shumta kanë qenë edhe thashethemet se kush do të marrë timonin për të drejtuar skuadrën.Siç duket në kampin durrsak akoma nuk kanë nisur lëvizjet e para për të vënë piketat për sezonin e ri, pasi te kjo skuadër përveç afrimit të lojtarëve duhet të gjejnë edhe trajnerin e ri, ku aktualisht nuk ka asnjë emër konkret në horizont. Kjo pritet të jetë verë e nxehet te Teuta. Nga 25 lojtarë në skuadër, siç dihet tashmë 3 janë përshëndetur, ndërsa të tjerë më saktë janë në rrugën e lamtumirës.

Të sigurt që janë larguar janë Gruda, Marku, dhe Kallaku, por në dyshim janë Kuro dhe Kotobelli, që priten të ulen më presidentin për të vendosur të ardhmen. Shumë emra me blutë që do të ndryshojnë patjetër lëkurën e tyre dhe të përgatiten më fortë se kurrë për sezonin e tyre të ardhshëm. Në kushte të tilla, blerjet nuk kanë si të mungojnë, pasi duhen zëvendësuar ata që ikin. Synimi është forcimi i ekipit dhe merkatoja do jetë ajo që do t’i tregojë të gjitha, me largimet që tashmë kanë “prekur” Teutën.

Te Teuta largimet sigurisht që do të pasohen me afrime, por është ende herët që në Durrës të shohim lëvizje në hyrje. Tashmë që janë qartësuar mirë që cilët lojtarë do të qëndrojnë, pritet të nisin edhe lëvizjet. Kështu, që mendohet që nga java e ardhshme, do të qartësohet plotësisht dhe situata me trajnerin e ri dhe me ata që do të afrohen dhe që do jenë pjesë e projektit të atij që do të marrë drejtimin e bluve dhe vetëm pritet të bëhen afrime cilësore në merkato. Me çfarë “filtron”, në Durrës ide është bërja e një ekipi pretendent dhe dëshirat e trajnerit të ri në merkato do të plotësohen, si garanci e vetme për të pasur një sezon kompetitiv dhe konkurrues në kampionat.

Në këto kushte, merkatoja do të jetë në çdo repart veç portës. Qirko dhe Dema janë siguri për Teutën për të ardhmen ndaj klubi nuk ka menduar të afrojë në ekip një gardian të ri. Repart, i cili pritet të përforcohet është ai i mbrojtjes, ku durrsakët kanë vuajtur shumë në sezonin e fundit. Duke ditur se merkatoja e verës ofron shumë mundësi, pritet që futbollistët të vijnë nga brenda vendit, kjo pasi dihet se mundësitë brenda vendit janë të shumta, në këto kushte kërkimi i lojtarëve kthehet në detyrim për Teutën. Teuta e sezonit të ri po hartohet. Klubi ka për qëllim vendosjen e themeleve dhe përgjatë kësaj kohe ata po punojnë për riformatimin e skuadrës.

Afrimet e reja do të jenë të pikasura me kujdes dhe profesionalizëm. Ekipi duhet të ketë kualitet, karakter, forcë, pasion, uri për sukses. Teuta kurrsesi nuk duhet të rizhgënjejë sezonin e ri. Është shumë e rëndësishme që klubi të ndërtojë një sistem bazuar te kërkesat e trajnerit dhe stafit teknik për përzgjedhjen e lojtarëve, në mënyrë që sportdashësit t’i serviret një ekip kompakt, që luan një futboll argëtues. Drejtuesit në bashkëpunim me trajnerin dhe stafin do të përzgjedhin lojtarët që do përbëjnë ekipin për sezonin e ri futbollistik. Priten disa përforcime në merkato në ditën në vijim. Ekipi ka objektiva të qarta, Teuta duhet dhe do të flasë vetëm në fushën e lojës.

Fakti që Teuta nuk luan në Europë dhe përgatitjet do të nisin me kohë të plotë, i jep njëfarë luksi klubit dhe trajnerit të ri që të mos nxitohen dhe të shohim mirë lojtarët që do të afrojnë. Ecuria jo fort e mirë e ekipit durrsak në kampionat e fundit ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit, të cilët po mendojnë të ndërhyjnë në merkato, pasi afrimet që u bënë në verën e kaluar nuk bindën.