E imagjinoni dot një Teutë pa Dejvi Bregun dhe Lorenco Vilën në formacion! Të dy shënuan 26 gola në kampionatin e fundit dhe patën meritën kryesore për shpalljen kampion të durrsakëve pas 27 vitesh.

Përpara ndeshjes së kthimit ndaj Sherif Tirapsolit në Ligën e kampioneve, Bregu i dha lamtumirën Teutës, duke u transferuar te Boluspor në Turqi. Por në takimin me moldavët, pas vetëm 38 minutash lojë, një goditje e marrë në kavilje dëmtoi rëndë edhe Lorenco Vilën.

Pas ekzaminimeve u konfirmua se sulmuesi i krahut do të mungojë për rreth një muaj, duke mbyllur këtu aventurën europiane me “djemtë e detit”. Një lajm jo i mirë ky për trajnerin Edi Martini, pasi në prag të ndeshjes së parë kundër Inter Club D’Eskaldes për turin e dytë të Ligës së Konferencës, do t’i bëjë llogaritë pa dy prej sulmuesve të krahut.

Nëse për Bregun e kishte mbledhur mendjen që pa u eliminuar nga Champions, tashmë hallet shtohet, sepse edhe 22- vjeçari është i pamundur për të luajtur. Kësisoj, për herë të parë trajnerit i duhet të ndërtojë një formacion pa dy prej lojtarëve më të mirë. Sinjalet e para u dhanë që në Moldavi për zëvendësuesin e Bregut.

Martini i besoi Ildi Grudës, i cili edhe gjatë sezonit të kaluar ka qenë një zgjedhje e parë nga stoli. Mirëpo duket se tani ka ardhur momenti i shkodranit dhe do të jetë pikërisht ai zëvendësuesi i Bregut. Por në ditët e fundit trajneri ka provuar edhe lojtarin që do të zëvendësojë Lorenco Vilën.

Sipas të gjitha gjasave, do të jetë Taulant Seferi ai që do të spostohet në krahët e sulmit. Lojtari i huazuar nga Tirana nuk shënoi asnjë gol si qendërsulmues në dy ndeshjet ndaj Sherif Tiraspolit. Në këto kushte, këtë herë ai pritet të luajë në krahun e majtë, ndërsa Gruda djathtas.

Me këto lëvizje hapet një vend në majën e sulmit, teksa me skemën 4-2-3-1 maqedonasi Pepi Gjorgiev shihet si më i mundshmi për të luajtur nga minuta e parë. Martini duket se e ka humbur besimin te Krasniqi, i cili nuk është aktivizuar asnjë minutë në dy takimet për Champions kundër Sherif Tiraspolit.Për sfidën me andorrianët, në pozicionet e tjera do të rikonfirmohen titullarët që shpallën kampionë Teutën, duke përfshirë edhe Kallakun.