Teuta dhe Pogradeci do të jenë dy skuadrat të cilat do të diskutojnë mes tyre se cila do të jetë pjesë e Superiores në sezonin e ardhshëm dhe cila do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Teuta e përfundoi sezonin e rregullt në Superiore në vendin e 8 dhe do të jetë e detyruar që të mbrojë vendin e saj në elitë.
Ndërsa Pogradeci u kualifikua falë play-off të Kategorisë së Parë, teksa mundi fillimisht Kastriotin e më pas Besën në rrugëtimin e saj drejt kësaj ndeshje. FSHF ka bërë të ditur se ndeshja do të luhet të shtunën, datë 16 maj, në orën 16;00, në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.
Për këtë Teuta ka kërkuar edhe mbështetjen maksimale të tifozerisë durrsake në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
Njoftimi i klubit Teuta:
Të shtunën, në Stadiumi Niko Dovana, luajmë një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit ndaj Pogradecit, në betejën për play-out. Prania e çdo qytetari durrsak është më shumë se mbështetje është detyrim për qytetin dhe për Teutën. Të gjithë bashkë, ja dalim!






