Artan Jazxhi u rikthye në formacion në ndeshjen e fundit me Dinamon, duke sakrifikuar për skuadrën. Mbrojtësi i Teutës tregon për gjendjen e tij pas dëmtimit, ndërkohë që shpreh bindjen se “Djemtë e detit” do ta kalojnë krizën e rezultateve shumë shpejt. Jazxhi ka theksuar se Teuta meritonte ta fitonte ndeshjen me Dinamon me rastet që krijoi.

Artan, luajtët një ndeshje të plotë kundër Dinamos, edhe pse keni pasur shqetësime në gju…

E vërteta është se kam pasur disa shqetësime, por tani është momenti që duhet të sakrifkojmë të gjithë për ekipin. Këtë bëra edhe unë. Jemi në një situatë, ku çdo lojtar është i rëndësishëm dhe duhen shtrënguar dhëmbët. Një futbollist asnjëherë nuk duhet të jetë 100% i kënaqur me formën e vet, synon gjithmonë të japë më shumë. Ndihem mirë, por me kalimin e kohës do të jap më shumë.

Dominim në lojë ndaj Dinamos, por vetëm një pikë në fund. Si do ta komentonit atë ndeshje?

E rëndësishme është që nuk dolëm pa pikë, edhe pse rastet ndoshta ishin të pastra dhe me pak fat mund t’i shfrytëzonim më mirë për të marrë maksimumin nga ajo sfidë. Na vjen keq, sepse kundërshtari nuk pati raste për të na ndëshkuar. Nuk morëm atë që donim dhe nuk më vjen mirë për këtë fakt. Na duhet të punojmë më shumë për sfidën e radhës me Laçin. Tani çdo ndeshje ka shumë rëndësi për vetë situatën që po kalojmë.

Ndeshja e radhës me Laçin në transfertë. Si e prisni?

Vijmë nga një barazim në një ndeshje që duhej të fitohej. Barazimi nuk ishte rezultati që prisnim, kurse me Laçin do të futemi vetëm për tri pikët në fushë. Synimi ynë është të jemi në luftë për vendet e sipërme të renditjes.

A do të ishte mirë edhe një barazim në këtë ndeshje?

Në dëshirën dhe llogaritë tona janë gjithmonë vetëm tri pikët. Patjetër që pikët merren në fushë dhe e rëndësishme është të japim maksimumin, të bëjmë një lojë të mirë. Sa pikë do të marrim, varet nga mënyra se si luajmë. Do të doja që rastet që do të na paraqiten t’i shfrytëzojmë, kjo është shumë e rëndësishme.