Teuta ka nisur nga puna për sezonin e ri.Nën drejtimin e Renato Arapit, durrsakët kanë zbritur në fushë dhe me dy emra të rinj. Teuta ka nisur dje përgatitjet për sezonin 2022-2023 në kompleksin stërvitor pranë stadiumit “Niko Dovana”.Seancat e para stërvitore do t’i shërbejnë stafit për të bërë një seleksionim të futbollistëve për sezonin e ri, pasi gjatë kësaj periudhe priten disa afrime.Në seancën e parë janë parë dhe dy elementë të rinj, Uheid Hoxha dhe Aldrit Oshafi. I pari vjen nga Vllaznia, ndërsa Oshafi vjen nga huazimi te Tomori.Krahas futbollistëve që janë konfirmuar nga sezoni i kaluar, me ekipin pritet të bashkohen futbollistë të tjerë cilësorë, si tregu vendas dhe i huaj, kryesisht nga rajoni.

Me skuadrën në stërvitje ishin të pranishëm të gjithë futbollistët e konfirmuar, të cilët dukeshin në formë të mirë fizike, edhe pse vijnë pas një pushim 40-ditor.Stërvitjet kanë shkuar sipas planit, ku stafi teknik ishte mjaft i kënaqur me përgatitjen fizike të futbollistëve, të cilët e kanë ruajtur formën e tyre edhe përkundër që ishin në pushim disa javor.Në stërvitjen e parë ishte një atmosferë shume e mirë brenda klubit, ku të gjithë futbollistët e stafi teknik janë të gatshëm të punojnë shumë që t’i arrijnë synimet që kanë.Ekipi kishte grumbullimin e parë, që pas 27 majit, ku u mbyll edicioni i shkuar. Në seancën e parë nuk kishte asnjë mungesë, përveç të larguarve që nga fundi i sezonit.Skuadra pritet të kompletohet në ditët në vijim. Lojtarët që nuk banojnë në Durrës janë kthyer në rezidencën e tyre dhe nën urdhrat e trajnerit Arapi kanë nisur punën për sezonin e ri.

Për shkak të temperaturave të larta, seanca e parë stërvitore nisi në orën 19:00 dhe të pranishëm ishin 20 futbollistë.Fillimi i përgatitjeve të Teutës për edicionin e ri u ndoq nga një numër i konsiderueshëm sportdashësish durrsakë.Ata ishin aty për t’u komunikuar mirëseardhjen lojtarëve, si dhe për t’u uruar një sezon sa më të mbarë dhe me trofe, por edhe për të shuar kureshtjen e tyre.Normalisht, ditët e para do të kalojnë me teste të ndryshme, mjekësore dhe fizike dhe me kompletimin e grupit Teuta do të nisë fazën intensive përgatitore, që pritet të kryhet larg Durrësit.Para fillimit të përgatitjeve drejtuesit e skuadrës u uruan lojtarëve suksese dhe një sezon sa më të mbarë.

Drejtuesit e Teutës po përpiqen të formojnë një ekip që të luftojë për të dy trofetë, ndaj po punojmë për përforcime sa më cilësore.Gjithsesi, trajneri Arapi ka deklaruar se ka besim te lojtarët dhe do të vazhdojë që edhe për këtë sezon ta bazojë lojën te grupi i vjetshëm.Një sezon më parë durrsakët kanë pasur në gjirin e tyre lojtarë cilësorë dhe loja e tyre ka qenë e bazuar te grupi. Falë dyshes së trajnerëve Arapi-Hodo, Teuta shpëtoi duke mos u përfshirë në zonë “e ftohtë”.Gjithsesi, mbetet një sezon tepër zhgënjyes për “djemtë e detit”. Ambiciet e klubit dihen, ndaj gjatë periudhës së merkatos pritet të mbërrijnë në Durrës lojtarë që do të bëjnë të mundur të plotësojnë mangësitë dhe të garantojnë suksesin e kërkuar, si në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.