Teuta ka nisur përgatitjet për takimin e së premtes ndaj Tiranës, e cila do të luhet në “Selman Stërmasi” në orën 16:00. Përballen dy skuadra që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar, teksa bregdetarët janë të etur për një fitore, pasi në katër ndeshje të luajtura nuk kanë shijuar ende një trepikësh.Bledi Shkëmbi, në herën e dytë në stolin e Teutës, pa dyshim që synon të bëjë diçka të madhe: të kthejë blutë te suksesi. Për ndeshjen e së premtes, mbrojtësi Harallamb Qaqi pritet që të jetë i gatshëm për ekipin.

Me një seancë të zhvilluar pasdite ka startuar zyrtarisht edhe java anti-Tirana. Vështirësia është e madhe, pasi përballë do të jenë kampionët në fuqi, por gjithsesi në Durrës janë optimistë dhe shpresojnë për një rezultat pozitiv. Përgatitjet kanë nisur me ritëm, por ajo që ra në sy ishin repartet që punuan të veçuara. Mbrojtja është sektori që po merr vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa Shkëmbi kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë, duke filluar nga Vila apo Boci.

Durrsakët kanë përpara një kalendar tejet të vështirë, ku pas Tiranës, ndeshja e radhës do të jetë në shtëpi me Vllazninë, ndërsa dy sfidat e tjera do të jenë në transfertë ndaj Egnatias dhe Kastriotit, dy ekipe që kanë shfaqur një formë të mirë deri tani.Këto ndeshje do të thonë shumë për ecurinë e Teutës në këtë kampionat. Pas ndeshjes me bardheblutë, do të jetë edhe pauza e Kombëtares, teksa trajneri korçar do të ketë mundësinë që të punojë me konsolidimin e grupit, duke qenë se ka shumë pak kohë që ka ardhur në drejtimin e Teutës. Pas këtyre sfidave, në Durrës do të jenë më të qartë për të nxjerrë edhe synimet e tyre për këtë sezon futbollistik.

KALENDARI I TEUTËS

TIRANA-TEUTA

TEUTA-VLLAZNIA

KASTRIOTI-TEUTA

EGNATIA-TEUTA