Derbi i parë i kryeqytetit Dinamo-Tirana ofroi spektakël që në javën e parë të Superiores.

Bardheblutë mposhtën Dinamon në “Elbasan Arena” me rezultatin 3-2, ndërkohë Erzeni ndali Laçin në transfertë 3-3 duke marrë një pikë me vlera.

“Nëndetësja” kaloi e para në avantazh në minutën e 24-t, kur Kaçorri tundi rrjetën me kokë.

Por festa zgjati vetëm 5 minuta. Kaq kohë iu nevojit Ardit Hilës për të dërguar topin në rrjetë dhe për të kthyer baraspeshën. 

Pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-1, ndërsa në të dytën është sërish Dinamo ajo që shkon e para te goli.

Pas rishikimit të pamjeve me VAR, Xhaja akordon një 11 metërsh në favor të dinamovitëve. Pranë topit shkon Denisoni, i cili mposht Likën nga 11 metrat. 

Po më të njëjtën monedhë kundërpërgjigjet edhe Tirana. Bardheblutë fitojnë të drejtën e një penalltie në minutën e 74-t, e cila u shndërrua në gol nga Latifi. Por seria e golave nuk mbyllet këtu.

Kur kronometri po numëronte minutën e fundit të kohës së rregullt, Tirana fiton një tjetër penallti. 

Këtë herë Juxhin Xhaja nuk ka as nevojën e VAR-it për të konfirmuar atë çfarë pa. 

Topin e merr në duar Hasani, i cili e dërgon më pas në rrjetë dhe shkon të festojë golin e fitores me tifozët bardheblu.

Ndeshja përfundon kështu me shifrat 2-3, me Tiranën që merr fitoren e parë në këtë sezon të ri të Superiores.