Të dielën e 13 nëntorit, një event i rëndësishëm sportiv do të mbahet në Durrës. Mbrëmja do t’i rezervohet “titanëve” të boksit.

Emrat më të njohur të kësaj disipline sportive, por edhe të muzikës dhe humorit pritet të dhurojnë një spektakël të vërtetë. Edicioni i tretë i “Titans fight” është konceptuar si një spektakël bamirësie, pasi paratë e biletave do të shkojnë për Shtëpinë e Foshnjes në Durrës.

“Kur u njohën me nismën tonë të bamirësisë, na u bashkuan shumë emra të njohur të humorit shqiptar, por edhe Noizy e Kastriot Tusha. Të dielën e 13 nëntorit nuk do të ofrojmë vetëm diçka të egër, siç është boksi, por edhe spektakël”,- tregon për “DurrësLajm” Fred Shoshi, presidenti i klubit “Titans Fight”.

Në ringun e boksit do të ngjiten disa nga më të “fortët” e kësaj disipline. Trajneri i përkushtuar Enton Kikrri na zbardh disa nga emrat që do të boksojnë mes tyre gjatë kësaj nate, duke i dhuruar publikut duele shumë sfiduese në këtë sport burrëror.

Ardit Murja, Nelson Hysa, Alban Beqiri, Danny Williams, John Gjini, Ergys Toci etj janë vetëm disa nga boksierët pjesëmarrës. Eventi sportiv i kalon kufinjtë e Durrësit, sepse pjesëmarrës janë edhe boksierë nga SHBA, Angli, Itali etj.

Për dy nga boksierët e klubit sportiv të Durrësit “Titans Fight”, emocionet për këtë event janë të mëdha, për më tepër që këtë herë boksojnë për një kauzë sociale shumë të ndjeshme.

Talenti i boksit durrsak, Ardit Murrja rrëfen se po stërvitet intensivisht dy herë në ditë për këtë turne dhe është shpresëplotë që publiku do t’i shijojë përballjet në ring.

Ndërsa më i vogli i grupit Graciano Shoshi ndihet gati për sfidën e së dielës.

“Ndihem shumë krenar që paratë e biletave do të shkojnë për bamirësi dhe do të jap më të mirën time”,- thotë ai.

Eventi i 13 nëntorit do të organizohet me mbështetjen e bashkisë Durrës. Para spektaklit, trajneri Kikrri ka një apel për të gjithë sportdashësit:

Ejani të shijoni një mbëmje të jashtëzakonshme në qytetin tonë. Ju presim më datë 13 të gjithëve”.

M.B.