Transporti detar i pasagjerëve ka pasur një ecuri pozitive e cila pritet të mbetet e tillë gjatë gjithë këtij viti. 

Sipas të dhënave statistikore zyrtare, mësohet se Porti i Durrësit po përdoret gjithnjë e më shumë për të hyrë apo dalë nga vendi ynë, duke i dhënë qëndrueshmëri këtij sektori pavarësisht krizës ekonomike që ka cekur edhe sektorin detar.

Trafiku detar gjatë 9 mujorit të këtij viti, ka njohur rritje me 17 % më shumë ose 94, 827 udhëtarë më shumë që e përdorën atë. Në total, në 765 lundrime që tragetet e linjave kanë kryer, kanë transportuar 669,010 pasagjerë, 313,263 prej të cilëve janë regjistruar në hyrje dhe 355,747 udhëtarë në dalje nga vendi ynë. 

Por cilët shtetas e kanë përdorur më shumë Portin e Durrësit?

Të dhënat tregojnë se 238, 100 shtetas që kanë hyrë apo dalë nëpërmjet Portit të Durrësit janë të huaj, si: italianë, polakë, amerikanë, gjermanë, spanjollë, etj, të cilët kanë përbërë në tërësi një rritje prej 33 % shtetas të huaj më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo dëshmon edhe numrin e vizitorëve të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet verore apo për të vizituar atë. 

Referuar të dhënave statistikore, Autoritetit Portual Durrës informon se në 669,010 pasagjerë që janë përpunuar në Portin e Durrësit gjatë kësaj periudhe është reflektuar rritje me 94,827 pasagjerë më shumë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bashkë me pasagjerët tragetet kanë transportuar dhe 153,500 automjete dhe 62,561 kamionë e trailer. /APD