Gra dhe vajza, profesioniste të njohura në qytetin bregdetar u mblodhën pasditen e së mërkurës në ambientet e MuZEH Lab për të marrë pjesë në aktivitetin “Trashëgimia e Durrësit, këmbëngulje dhe motivim”.

Aktiviteti u organizua nga ËeËomen dhe kishte për qëllim rrjetëzimin dhe promovimin e vajzave dhe grave që punojnë çdo ditë për të ruajtur dhe promovuar vlerat dhe asetet kulturore të Durrësit.

Erida Curraj, bashkëthemeluese e platformës joformale WeWomen shpjegoi për “DurrësLajm” rëndësinë e këtij aktiviteti.

“Aktiviteti i sotëm është për t’u dhënë një dritare më tepër vajzave dhe grave profesioniste të Durrësit, që ato të tregojnë më shumë dhe të frymëzojnë më tepër. Sot marrin pjesë 4 vajza dhe gra, të cilat në vetvete kanë punuar fort për shumë vite dhe kanë ardhur sot të ndajnë me ne përvojën e tyre profesionale dhe personale.”,- tha Curraj.

Në aktivitet e morën fjalën eksperte nga fusha e turizmit si Arjana Hyka; muzeologjisë e trashëgimisë kulturore si kuratorja Antigoni Sul, por edhe artizanatit siç ishte qëndistarja Ëngjëllueshe Spada, të cilat treguan eksperiencat e tyre gjatë ushtrimit të profesionit.

Themeluesja e MuZEH Lab, Dorina Xheraj,u shpreh mjaft e kënaqur nga zhvillimi i këtij aktiviteti me gratë dhe për gratë e Durrësit, pasi në këtë mënyrë puna dhe eksperienca jetësore e tyre merr edhe më tepër vlerë dhe promovohet më gjerësisht.

Aktivitete të ngjashme pritet të mbahen nga organizata WeWomen edhe në qytete të tjera të vendit.