Portali ndërkombëtar i udhëtimeve Travel Off Path i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke theksuar se vendi është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara në Europë për turistët dhe nomadët digjitalë, por paralajmëron se një nga avantazhet më të mëdha mund të ndryshojë nëse Shqipëria anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Sipas artikullit, prej gati një dekade Shqipëria ka qenë një nga vendet më mikpritëse për vizitorët, veçanërisht për qytetarët amerikanë. Ndryshe nga vendet e zonës Schengen, ku shtetasit amerikanë mund të qëndrojnë vetëm 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, Shqipëria u lejon atyre të qëndrojnë deri në një vit pa vizë dhe pa procedura shtesë.

Kjo është e mundur pasi Shqipëria nuk është ende pjesë e Bashkimit Europian dhe ka të drejtë të vendosë vetë rregullat e saj të emigracionit dhe hyrjes për shtetasit e huaj.

Artikulli vlerëson se ky është një nga faktorët që e ka bërë Shqipërinë një destinacion tërheqës për turistët afatgjatë dhe nomadët digjitalë që kërkojnë të jetojnë në Europë pa kufizimet e Schengenit.

Megjithatë, Travel Off Path thekson se situata mund të ndryshojë në vitet e ardhshme, pasi procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka hyrë në një fazë shumë më të shpejtë.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2009, ndërsa negociatat kanë marrë ritëm të ri vitet e fundit. Sipas artikullit, më 15 korrik 2026 vendi mbylli provizorisht tre kapituj negociues brenda një dite, një zhvillim që cilësohet si i paprecedentë.

Portali kujton se gjatë asaj që u quajt nga Brukseli “Super Tuesday“, Bashkimi Europian zhvilloi njëkohësisht konferenca të anëtarësimit me Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, duke treguar se zgjerimi i BE-së është rikthyer në krye të prioriteteve.

Sipas parashikimeve të përmendura në artikull, nëse procesi ecën sipas planit, Mali i Zi mund të anëtarësohet në BE në vitin 2028, ndërsa Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë në vitin 2029.

Artikulli shpjegon se anëtarësimi në Bashkimin Europian pritet të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët shqiptarë, si lëvizja e lirë dhe rritja graduale e standardit të jetesës, por mund të ndikojë edhe te turistët.

Sipas Travel Off Path, me hyrjen në BE pritet që gradualisht të rriten çmimet, pagat dhe investimet, ashtu siç ndodhi më parë në vende si Kroacia, Polonia, Rumania dhe Estonia.

Portali vëren se Shqipëria mbetet aktualisht një nga vendet më të lira në Europë. Qiratë për apartamente moderne në qytetet e mëdha mund të nisin nga rreth 400 dollarë në muaj, ndërsa akomodimi për turistët në qytete bregdetare si Vlora apo Saranda mbetet shumë konkurrues krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare.

Në përfundim, Travel Off Path e cilëson Shqipërinë si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Mesdhe, falë vijës bregdetare, kostos së ulët të jetesës dhe potencialit të madh turistik, duke shtuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian pritet ta bëjë vendin edhe më tërheqës, por njëkohësisht mund t’i japë fund disa prej lehtësive që gëzojnë sot turistët e huaj, veçanërisht ata amerikanë.