Sot bëhen tre vite nga tërmeti shkatërrimtar që goditi vendin tonë, i cili shkaktoi 51 viktima, mbi 1 mijë të plagosur dhe qindra banesa të shkatërruara.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, me anë të një statusi në faqen e saj, kujton sot me dhimbje e respekt jetët e humbura atë natë tragjike.

“Po kështu na vijnë në kujtesë pamjet e trishtueshme dhe dëmet e mëdha që la pas tërmeti, familje pa strehë, shtëpi të rrafshuara dhe shkolla të prishura. Në atë gjendje të vështirë me mbështetjen maksimale të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama zbatuam një plan të gjerë masash për të ndihmuar njerëzit por u angazhuam gjithashtu që do të ndërtonim shtëpitë dhe shkollat më të forta, më të sigurta dhe më të bukura”, shkruan Sako.

Nga ana tjetër, kryebashkiakja tregon se sot pas tre vitesh, dhjetëra pallate e shtëpi individuale janë rikonstruktuar e rindërtuar, shumë shkolla të reja me standarde evropiane janë ndërtuar, mijëra familje janë rikthyer në shtëpitë e tyre, gjithçka në sajë të Programit të madh të Rindërtimit.

“Megjithatë kemi ende shumë punë përpara, prandaj nuk do të ndalemi, për të mirën e fëmijëve tanë, për të mirën e qytetit dhe vendit tonë. Mirënjohje edhe të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar në ditë të vështira!
3 vitet që lamë pas ishin vitet më të vështira për Durrësin, si pasojë e tërmetit dhe pandemisë. Por pavarësisht këtyre dy fatkeqësive qyteti ynë është ringritur dhe po gjen sërish madhështinë për historinë dhe vlerat që mbart.”

Sako në fund thotë se vizioni për Durrësin është ai i një qyteti turistik evropian dhe përfundimi i rindërtimit bashkë me projekte të tjera madhore do t’i japin Durrësit shkëlqimin e merituar dhe të gjithë qytetarët tanë do të kenë një qytet më të mirë, më të bukur dhe me mundësi të reja zhvillimi.