Në Gjykatën e Durrësit vijojnë me intensitet gjyqet e divorceve.

Evidencat statistikore të marra nga Gjykata e Shkallës së Parë tregojnë se në 2 vitet e fundit ka pasur në total 1089 vendime me objekt “Zgjidhje martese”, 586 prej të cilave vetëm gjatë vitit që lamë pas.

Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, janë të ndryshme.

Për Krenar Bardhin, anëtar i kryesisë së Dhomës Vendore të Avokatisë, arsyet primare kanë të bëjnë me fenomene sociale dhe në këto raste është femra ajo që ndërmerr iniciativën për shkurorëzim.

Shqetësues mbetet një “fenomen” i ri: divorci për t’u martuar më pas me një shtetas të huaj.

Eksperti ligjor tregon se në raste të tilla ndarja bëhet me pëlqimin e të dyja palëve.

Lajmi i mirë është se janë minimizuar rastet e shkurorëzimit për shkak të dhunës në familje.

Duke folur për kohëzgjatjen e procesit të divorcimit, avokati tha se numri i ulët i gjyqtarëve pritet të trefishojë afatet.

Ndërsa tani divorci nuk mbart më damkën e dikurshme, çiftet duhet të përgatiten, që ndarja do t’u marrë më shumë kohë se bashkimi.

K.Gj.